Kosova27 Shtator 2023, 19:19

Pas SHBA-së edhe Gjermania i jep goditje të fortë Vuçiçit: Agresioni në veri sulm terrorist, nuk pati provokim nga Kosova

Shkruar nga Pamfleti

Pas SHBA-së edhe Gjermania i jep goditje të fortë

Pas krisjeve të mëdha, duket se Kosova ka rikthyer në krahun e saj faktorin ndërkombëtar. Ndryshe nga BE e cila nuk dënon agresionin dhe rri i kreh bishtin Vuçiç, SHBA, Britania, por edhe Gjermani kanë reaguar shumë ashpër.

I pari që i dha goditje Serbisë ishte ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier. Ai tha dje se sulmi në Veri ka qenë i mirëmenduar dhe tepër i planifikuar. Po ashtu ngriti dyshime se armët janë futur me mbështetje qeveritare.

Sot një deklaratë akoma më e fortë ka ardhur nga i dërguari i Gjermanisë në Ballkan, Manuel Sarrazin. Në një intervistë për ARD, duke thënë se sulmi ndaj policisë së Kosovës ka qenë një sulm kriminal dhe terrorist.

Sarrazin ka thënë se prapavijë e sulmit mbetet ende e paqartë. I pyetur për rolin e Rusisë në destabilizimin e Veriut, Sarrazin ka thënë se “me siguri ka një ndikim, por se askush nuk e di se sa larg shkon”.

Emisari gjerman tutje ka shtuar se “Putin mund të jetë një justifikim i lehtë për disa qarqe në Beograd që ndezin zjarrin dhe më pas bëjnë me gisht drejt Putinit dhe pretendojnë se nuk mund ta kishin ndalur atë“.

Sa i përket vazhdimit të dialogut për normalizim dhe rolin gjerman, Sarrazin ka thënë se rruga drejt zgjidhjes kalon përmes dialogut dhe udhëhequr nga BE dhe anëtarësimit në BE.

Ai ka thënë se Gjermania mund “të jetë një violinë e rëndësishme, por vetëm si pjesë e koncertit të BE-së ku dirigjentë janë Lajçak e Borell“.

Kur gazetari e pyeti nëse pajtohet me deklaratën e Vuçiçit se “sulmuesit ishin provokuar nga terrori i kryer nga Policia e Kosovës ndaj serbëve“, Sarrazin tha se një përshkrim i tillë është i gabuar dhe nuk paraqet pasqyrë të vërtetë të ngjarjeve gjatë fundjavës.

Sarrazin ka thënë se ka qëndrime diametralisht të kundërta mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket ngjarjeve në Veri dhe sipas tij kjo paraqet “rrezik për konflikte dhe përshkallëzim në të ardhmen”.