
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas alarmin false për bombë në Kuvend ditën e djeshme.
Ai ka përgëzuar institucionet për “reagimin e shpejtë dhe profesional” pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se alarmi i rremë për bombë erdhi nga një numër i një shtetasi serb.
Kurti thekson se kjo dëshmon për luftën hibride të Serbisë ndaj Kosovës.
“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, shkroi Kurti.
Kryeministri i Kosovës shpërndau postimin e Sveçlës, i cili shkruan se është konfirmuar se numri nga i cili erdhi kërcënimi për bombë e ka origjinën në Serbi.
“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, shkroi Sveçla.
Lini një Përgjigje