Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK-ja dhe AAK-ja po humbin qytetarët.
Në një adresim në Kuvend, Kurti e ka pranuar se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e bën punën e tyre më të vështirë, por në fund, sipas tij, e pësojnë më së shumti qytetarët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve në kuvend, tha se qeveria ka sjellë për ratifikim një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, mirëpo, siç u shpreh ai, për shkak të mosvotimit nga opozita ato nuk po kalojnë.
“Ka disa muaj që në këtë legjislaturë kuvendi, qeveria ka sjellë për ratifikim një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, mirëpo për shkak të mosvotimit nga opozita ato nuk po kalojnë. Janë shtatë marrëveshje që janë në pritje të miratimit në kuvend, dy të tjera janë në shqyrtim në komisione e shumë të tjera janë në proces që pritet të vijnë nga qeveria në kuvend”, u shpreh ai.
Ai tha se marrëveshjet që po presin ratifikimin, nuk janë as të dëmshme e as nuk shkaktojnë obligime që rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Kurti tha se bëhet fjalë për mbi 360 milionë euro, që ose janë kredi të buta ose grante.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë që për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duhen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit, pra 80 vota së paku. Kjo është bërë si masë parandaluese që qeveritë e papërgjegjshme të mos nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme apo të hyjnë në obligime financiare që rrezikojnë qëndrueshmërinë e shtetit. Tani Marrëveshjet që po presin ratifikimin nuk janë as të dëmshme e as nuk shkaktojnë obligime që rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Përkundrazi kemi të bëjmë me mbi 360 milionë euro që ose janë kredi të buta me kushte koncensionale ose janë grante, para falë që nuk duhet të kthehen fare dhe të investohen në projekte zhvillimore që janë aq të nevojshme”, tha Kurti.
Lini një Përgjigje