
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar të ndalen sulmet dhe kundërshtitë për planin franko-gjerman.
E pyetur nga “Klan Kosova” mbi qëndrimet e opozitës, ambasada ka deklaruar se këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, thuhet në një përgjigje të ambasadës amerikane.
Kujtojmë, në lidhje me Planin Evropian, kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, tha se Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.
“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”, ka thënë Krasniqi.
Lini një Përgjigje