
I gjithë ky përrua psiqik racist, nuk ka asnjë bazë reale, pasi shqiptarët e Luginës, nuk kanë asnjë të drejtë kushtetuese siç serbët e Kosovës përfitojnë nga Kushtetuta, gjegjësisht Paketa Ahtisaari...
Në ditën që ka nisur takimi i nivelit të lartë në Bruksel ndërmjet Aleksandër Vuçiçit dhe Albin Kurtit, presidenti serb ka ndërsyer skifterët kundër shqiptarëve të Preshevës.
Siç bën të ditur gazeta e Beogradit "Novosti", deputeti i koalicionit qeveritar, Bojan Torbica, ka kërcënuar shqiptarët me një gjuhë të egër e skandaloze.
Kjo, pasi Albin Kurti, ka vendosur si kusht se nëse miratohet Asocacioni i Komunave Serbe në Kosovë, i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për shqiptarët e Luginës.
Këtë qëndrim e tha sot në Beograd, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Socialiste Serbe, nuk ka vonuar për të kërcënuar përmes një gjuhe të egër, që vjen nga mazhoranca në pushtet.
Siç bën të ditur “Novosti”, Torbica, ka lëshuar një mesazh ndaj shqiptarëve të Preshevës: “Mos ëndërroni, por paguani faturat e dritave dhe ujit".
“Të dëshirosh që bashkatdhetarët e tu të kenë të drejta reciproke me serbët në Kosovë dhe Metohinë e pushtuar do të thotë të duash t'ua heqësh të drejtën për gjuhën amtare, të privosh nga e drejta e trajtimit, të shkollimit në gjuhën e tyre, të duash që dikush t'i pushkatojë dhe fëmijët e tyre të pandëshkueshëm çdo ditë, t'i sulmojnë pa u ndëshkuar, t'i rrahin, t'i rrëmbejnë, t'u heqin organet", tha nënkryetari i Lëvizjes Socialiste dhe deputeti Bojan Torbica.
I cili nuk është ndalur në kërcënimin e tij: “Të duash që dikush të jetojë si serbët në Kosovë, do të thotë të duash që ata t'u rrënojnë varrezat, t'u djegin shtëpitë pa u ndëshkuar, t'i arrestojnë vetëm sepse janë të një feje dhe kombi tjetër, t'i mbajnë dhe të abuzojnë me ta për muaj të tërë pa asnjë bazë ligjore dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet”.
Torbica i fyen banorët e Luginës duke i etiketuar me epitetin: “shiftari”.
“Shaip Kamberi ka dëshira të tmerrshme për shqiptarët e tij që jetojnë në rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por mos u shqetësoni shqiptarët që jetojnë atje, nuk do të kenë fatin e serbëve të Kosovës. Me këtë rast po i them edhe Shaip Kamberit që të mos gënjejë dhe të mos ëndërrojë lugina, por të fillojë të paguajë rrymë dhe taksa”, ka thënë Torbica, duke bërë thirrje që Albin Kurti të hartojë sa më shpejt statutin e Asocacionit.
I gjithë ky përrua psiqik rracist, nuk ka asnjë bazë reale, pasi shqiptarët e Luginës, nuk kanë asnjë të drejtë kushtetuese siç serbët e Kosovës përfitojnë nga Kushtetuta, gjegjësisht Paketa Ahtisaari. Serbët e Kosovës, kanë 20 deputetë aforfe, shqiptarët e Luginës, mezi marrin një, ngaqë sa herë rritet numri i të ardhurve nga emigracioni, aq herë ndryshohet ligji elektoral. Shqiptarët e Preshevës, kanë ato shkolla që kanë pasur në kohën e Titos, ato institucione shëndetësore, ndërkohë që të drejtat politike nuk i kanë ekskluzive siç i kanë serbët e Kosovës. Të vetmin “përfitim” që kanë është Këshilli Koordinativ Shqiptar, një zgjidhje e kohës së luftës së Bosnjës, që realisht ka çelësat e kashtës.
Ndaj kjo deklaratë e Beogradit, është kërcënim i hapur, duke shantazhuar se përveç të drejtave politike do tu heqin edhe ato ekonomike.
Në realitet, Beogradi nuk mund të bëjë asnjë nga këto kërcënime, pasi e provoi në vitin 2001 të përballet edhe ushtarakisht me shqiptarët e Preshevës dhe SHBA. Jo më kot, amerikanët kanë ngritur bazën më të madhe ushtarake në Ballkan, ndanë Luginës. Por duket se është një mekanizëm i thjeshtë presioni për të ushqyer mediat e tij nacionaliste, para se të diskutojë me Albin Kurtin në Bruksel, i cili, parimisht e ka pranuar Asociacionin, pas presionit të SHBA, por për përmbajtjen e statusit të Asocacionit, ka bërë të ditur se nuk do të bëjë asnjë hap mbrapa. E këtu, luhet e gjithë loja, që sipas gjasave do të zbulohet më qartë nesër në mëngjes. /Pamfleti
Lini një Përgjigje