Kosova10 Qershor 2023, 08:56

"Beteja me Serbinë fitohet vetëm duke bashkëpunuar me aleatët", Haradinaj thirrje Kurtit dhe Osmanit: Pranoni sugjerimet e SHBA

Shkruar nga Pamfleti

"Beteja me Serbinë fitohet vetëm duke bashkëpunuar me

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur se vetëm duke bashkëpunuar me Amerikën dhe Bashkimin Evropian mund të fitohet beteja finale me Serbinë.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që të pranojnë sugjerimet e aleatëve dhe të mbyllet njëherë e përgjithmonë marrëveshja me njohje reciproke me Serbinë.

Haradinaj, tha gjithashtu se mospranimi i sugjerimeve mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën.

"Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes! Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot. Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.

Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces!", shkruan Haradinaj.

haradinaj kurti osmani shba