
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi reagoi pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në Hagë, i thirrur si dëshmitar nga ekipi mbrojtës i ish krerëve të UÇK-së.
Ai e ka cilësuar si një moment të rëndësishëm që dëshmon qartë drejtësinë e luftës për çlirim.
Krasniqi tha se James Rubin është një diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, i cili po flet në mbrojtje të ish Presidentit Hashim Thaçi dhe shokëve të tij.
“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre. Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah dhe kurrsesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha”, shprehet Memli Krasniqi.
Memli Krasniqi u zgjodh korrikun e vitit 2021 në krye të PDK-së, duke marrë besimin asokohe besimin e delegatëve për të drejtuar këtë forcë politike, të themeluar nga Thaçi. Ekipi i mbrojtjes i ish-presidentit Thaçi, ka njoftuar se synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë.
Pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi i dëshmitarëve nga mbrojtja e ekipit të ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.
Dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetit të LVV-së Rexhep Selimi.
Lini një Përgjigje