
Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime apo vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi, as me zotin Thaçi
James Rubin, ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke folur për disa prej figurave kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se arsyeja pse amerikanët nisën të vepronin ishte për faktin që kishin marrë shumë raporte që tregonin se kriza në Kosovë po ngjasonte me atë të Bosnje dhe Hercegovinës.
Rubin u shpreh se qëllimi i politikës së SHBA-ve ishte që të parandalonin të ndodhte e njëjta gjë në Kosovë.
“Ata ishin viktima, jo thjesht se kishin qenë të shtypur me dhjetëra vite, por po masakroheshin nga forca ushtarake dhe paraushtarake. Nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjes në Kosovë. Ky ishte qëllimi i politikës sonë: Të parandalonim të përsëritej e njëjta gjë”, tha Rubin.
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara, Rubin u pyet nga avokati i Thaçit nëse i kujtohej që ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.
“Jo, nuk më kujtohet”, u përgjigj Rubin.
Ai sqaroi se Albright e kuptonte rëndësinë e hetimit të krimeve, por qëllimi i saj ishte të ndëshkoheshin individët përgjegjës për dhunën dhe të mos lejohej fajësimi kolektiv.
Sipas Rubinit, Albright i kishte kërkuar Thaçit të tregonte tolerancë dhe të bënte çmos që edhe populli i tij të ishte tolerant, ndërsa drejtësia do të kujdesej për përgjegjësinë individuale të atyre që kryen dhunë.
James Rubin u shpreh se nuk është gjetur asnjë provë dhe asnjë informacion që të lidhte ekzekutime apo vrasje me udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime apo vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi, as me zotin Thaçi”, tha ai.
Sipas Rubin, këto pretendime ishin të fabrikuara kryesisht nga fushata dezinformimi të organizuara nga rusët ose të sponsorizuara nga serbët.
“Duke e ndjekur çështjen kam mbërritur në përfundim që shumë, nëse jo të gjitha akuzat e kriminalitetit, përfshirjes, vrasjeve, ekzekutimeve apo pretendimeve të tilla ishin të fabrikuara dhe ishin të lidhura kryesisht me fushata dezinformimi të organizuara nga rusët, të ndjekur nga mbështetës rusë ose nga organizata të sponsorizuara nga serbët”, tha Rubin.
Ai tha se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të.
Rubin theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
“Që kur e kam takuar për të Amerika ishte një simbol dhe një pasqyrim i asaj që ai e konsideronte një shtet i fuqishëm, i mirë për botën. Ai donte që SHBA-të ta besonin, ta respektonin. Ai donte mbështetjen e SHBA, flasim udhëheqjes, popullit amerikan për aq sa të ishte e mundur. Ky ishte prioriteti i tij më i madh”, tha Rubin.
Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.
James Rubin tha në gjyq se çështja e Kosovës ishte një nga më të rëndësishmet që trajtonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se zyrtarët amerikanë kanë hetuar akuzat e ngritura për krime lufte, por të gjitha ishin të pavërteta.
“Unë dhe personalisht i hetoja këto dhe doja me të vërtetë ta dija nëse ndonjë nga këto pretendime ishte i vërtetë. Herë pas here ngriheshin pretendime të tilla. i kemi hetuar, askush prej akuzave lidhur me rolin e tij dhe udhëheqësve të UÇK apo akuza të tjera, marrina, asgjë nuk ishte e vërtetë”, tha ai.
Sipas tij, synimi i akuzave të tilla ishte që të ndikohej në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Kosovës.
“Kuptuam që kryesisht ishin të rreme, fabrikuara edhe synonin të dëmtonin, ndikonin në mbështetjen tonë. Ne thjesht ndihmuam njerëzit të mos masakroheshin”, tha Rubin.
James Rubin foli gjatë dëshmisë së tij edhe për një vizitë të ish-presidentit amerikan, Joe Biden, në Ballkanin Perëndimor në vitin 1993, kohë kur ishte senator.
Biden pohonte se e dinte që Hashim Thaçi nuk ishte personi që e kontrollonte UÇK-në. Sipas Rubin, Biden duhet ta ketë ditur këtë bazuar në raporte që merrte nga agjenci të ndryshme amerikane.
“Hashim Thaçi nuk ishte as në krye të kësaj organizate. Në krye të saj ishte gjeneral Çeku dhe senatori Biden duhej ta kishte ditur për zotin Çeku. Kam punuar në qeveri për shumë raste dhe një gjë e tillë do ishte konfirmuar në mënyrë të gjerë”, tha Rubin.
Lini një Përgjigje