TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Maj 2025, 11:15

Dështon për herë të 9-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës, deputetët refuzuan votimin e fshehtë

Shkruar nga Pamfleti

Dështon për herë të 9-të konstituimi i Kuvendit

Ka dështuar sërish seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për herë të nëntë radhazi. Kryesuesi i seancë, Avni Dehari, propozoi që të votohet në mënyrë të fshehtë kandidatja për kryeparlamentare Albulena Haxhiu. Por ky propozim nuk kaloi, duke sjellë dështimin e radhës të seancës.

Partitë opozitare LDK, PDK dhe AAK, deklaruan se nuk mund të ndërrohet mënyra e votimit në këtë fazë. Seanca u ndërpre për të vazhduar pas 48 orësh në parlamentin e Kosovës.

Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

Në pesë nga gjashtë votimet për zgjedhjen e Albulena Haxhiut votuan vetëm 57 deputetë, teksa asaj i nevojiteshin të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur.

Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje këmbëngul se është kandidate meritore.

Ende nuk dihet nëse pas takimit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kandidat për kryeministër i koalicionit me Guxo dhe Alternativa, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, do të ndërrojë emri i të propozuarës për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Lini një Përgjigje