
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur është një e arritur e suksesshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Këtë deklaratë, Osmani e ka dhënë në një intervistë për BBC, gjatë qëndrimit në Londër ku të shtunën do të zhvillohet Ceremonia e Kurorëzimit të Mbretit Charles III.
Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera aleate të Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje të arritur më 2 maj mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Besoj se java e fundit ka qenë goxha e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur që janë zhdukur me forcë gjatë luftës, është një çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar në këtë sepse janë mbi 1600 familje që ende i kërkojnë të dashurit e tyre që janë rrëmbyer gjatë luftës dhe për këtë arsye llogarisim mbështetje shtesë nga Britania e Madhe që është një nga vendet me rol kryesor për të na mbështetur”, deklaroi presidentja Osmani.
Kujtojmë se më 2 maj u zhvillua takimi i radhës për dialogun Kosovë-Serbi mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Në këtë takim, u dakordësua Deklarata për të 1600 të Zhdukur gjatë luftës. Ndërsa nuk u arrit një dakordësi mbi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell dhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.
Lini një Përgjigje