
Ka filluar takimi në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarit për dialogun Miroslav Lajçak.
Sot të gjithë presin që palët të dakordësohen për planin e paqes të propozuar nga Franca dhe nga Gjermania. Kurti e ka pranuar tashmë këtë plan, por ai që po nxjerr pengesa është Vuçiç. Takimi trepalësh parashikohej të niste në orën 13.30, por nisi me dy orë vonesë.
Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media, ku do të njoftojë nëse pati apo jo tym të bardhë në bisedime.
Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.
“Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit, për të gjithë qytetarët pa dallime, sepse unë jam kryeministër i Republikës i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti. “Me këtë rast përveç se jam optimist kam ardhur me qëllim të mirë me vullnet të mirë dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më datë 27 shkurt ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve”, tha Kurti.
Më herët ai u takua me të dërguarin e DASH, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit e BE, Borrel dhe Lajçak. Po ashtu ai pati dhe një takim me krerët e shtetit në Shkup, përfshirë kryeministrin Kovaçevski.
Pas takimit, Kovaçevski ka shkruar në Facebook se Kurtit i ka uruar bisedime produktive dhe të suksesshme sot duke e përgëzuar “për përkushtimin e shprehur për të ndërmarrë hapa konkretë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, marrëveshja në vend të konfliktit dhe zhvillimi në vend të regresionit janë postulate që duhet të na çojnë ne, politikanëve të shekullit të 21-të, të cilët duam t'i udhëheqim vendet tona, dhe rrjedhimisht edhe Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje më të mirë evropiane”, përfundoi Kovaçevski.