
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmeve të fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj centraleve bërthamore të Iranit, duke theksuar nevojën për më pak armë bërthamore në botë dhe duke rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës për qëndrimin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndaj programit bërthamor iranian.
Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se Kosova qëndron në krah të SHBA-së dhe BE-së në përballjen me kërcënimin që paraqet ambicia bërthamore e Iranit. Ai gjithashtu ritheksoi lidhjet e ngushta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.
Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.
ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur", shkruan Kurti.
Lini një Përgjigje