
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se pas sulmit të zhvilluar në 24 shtator janë gjetur prova që tregojnë se Serbia mbështetet nga Rusia.
Në një intervistë për RTSH, ai deklaroi se vetë mbështetja politike që Rusia i jep qeverisë së Serbisë lidhur me këtë aksion tregon se ata janë në të njëjtën linjë.
"Kemi kapur 24 automjete në terren. Në një prej tyre kemi gjetur dokumente ruse. Ka edhe armatim rus. Dy nga mjetet e kapura janë prodhim rus, donacion ushtrisë së Jugosllavisë. Por edhe vetë mbështetja politike që Rusia i jep qeverisë së Serbisë lidhur me këtë aksion tregon se ata janë në të njëjtën linjë," tha Sveçla për RTSH.
Kujtojmë se, më herët ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë të Millan Radoiçiç dhe të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist në Banjskë.
Më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Në një intervistë për REL, ministri Sveçla u shpreh se Radoiçiç nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ai tha gjithashtu se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.
Lini një Përgjigje