
Në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Tubimi ka nisur pranë ndërtesës së KEDS-it dhe ka përfunduar para Qeverisë së Kosovës.
Protestuesit kanë marshuar në mënyrë të organizuar dhe kanë shpalosur pankarta me mesazhe kundërshtuese ndaj rritjes së çmimit të rrymës dhe ndaj rolit të kompanisë furnizuese. Pankartat janë vendosur në shkallët e ndërtesës së Qeverisë, pas së cilës pjesëmarrësit janë shpërndarë.

Gjatë qëndrimit para ndërtesës së KEDS-it është hedhur tym i kuq, ndërsa Policia ka arrestuar një person të moshuar që ndodhej në protestë. Tubimi është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.

Aktivistja Qendresa Hyseni ka deklaruar se protesta synon të ndalojë rritjen prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike, të kërkuar nga KESCO-ja. Ajo ka theksuar se një vendim pozitiv nga Zyra e Rregullatorit për Energji do të ndikojë drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve.

Reagime kundër kësaj kërkese ka pasur edhe nga Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës. Të enjten, ata kanë zhvilluar një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, ku aktivistët kanë mbajtur në duar fatura të rrymës nën moton “Energjia nuk është luks”.

ZRRE-ja pritet që gjatë muajit mars të marrë vendim lidhur me kërkesën e KESCO-s dhe mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

Lini një Përgjigje