TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Shkurt 2026, 15:32

Arrestimi i veteranit të UÇK-së nga Serbia, Kosova kërkon reagimin e ndërkombëtarëve

Shkruar nga Pamfleti
Arrestimi i veteranit të UÇK-së nga Serbia, Kosova kërkon
Foto ilustruese

Institucionet e Kosovës kanë kërkuar përfshirje të bashkësisë ndërkombëtare pas arrestimit në Serbi të një shtetasi kosovar, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi më 6 janar se ka marrë informacion për ndalimin e Mitehat Llozhanit, menjëherë pas hyrjes së tij në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit. Sipas ministrisë, arrestimi është kryer nën dyshimet për krime kundër popullatës civile.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka drejtuar kërkesë zyrtare palës serbe për konfirmimin e arrestimit dhe për sqarimin e bazës ligjore të ndalimit. Paralelisht, rasti është referuar edhe te delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it, përmes notave verbale.

MPJD bëri të ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ka vendosur kontakt me familjen e të ndaluarit dhe ka paralajmëruar kërkesë për vizitë zyrtare.

Autoritetet serbe konfirmuan më 5 shkurt arrestimin dhe caktimin e masës së ndalimit 48-orësh. Sipas tyre, Llozhani dyshohet se ka qenë pjesëtar i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së gjatë viteve 1998-1999 dhe se ka marrë pjesë në veprime të armatosura kundër forcave serbe.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u tha se i ndaluari ka marrë pjesë në stërvitje ushtarake në Shqipëri, por se nuk ka të dhëna që ai të ketë qenë i angazhuar në luftime në Kosovë. Sipas kësaj organizate, autoritetet serbe i kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit.

Rasti i fundit i shtohet një serie arrestimesh të shtetasve të Kosovës nga Serbia nën akuza për krime lufte, të regjistruara edhe gjatë vitit 2025, duke mbetur burim i vazhdueshëm tensionesh mes dy vendeve.

kosova serbia arrestim

Lini një Përgjigje