
Pavarësisht takimit në Ohër mes Kurtit dhe Vuçiçit dhe arritjes së një dakordësie mes palëve, Lista Serbe sërish refuzon të marrë pjesë në zgjedhje.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të cilit i kanë thënë se partia e tyre nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës.
Ata janë shprehur se arsyet e mospjesëmarrjes mbeten po të njëjta me ato të largimit, si formimi i Asociacionit dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu. Ata shprehen qëndrim të qartë kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, deri në plotësimin e kërkesave për të cilat u larguan nga institucionet e Kosovës.
“Ky është formimi i unionit të komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka caktuar 22 marsin si afatin e fundit të aplikimit për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë të certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor.
Të 11-it janë të certifikuar nga afati paraprak, i dhjetorit të vitit të kaluar, kur ishte planifikuar të mbaheshin zgjedhjet, pasi në afatin e ri, të hapur në mars, nuk është dorëzuar asnjë aplikim shtesë.
Lini një Përgjigje