Kosova30 Maj 2023, 09:29

Lufta e perëndimit për Serbinë: Kosova, shkopi dhe karota për Beogradin

Shkruar nga Fadil Lepaja

Lufta e perëndimit për Serbinë: Kosova, shkopi dhe karota

Mesazhi i ushtrimeve ushtarake “Mbrojtja e Evropës 2023”, është i qartë për militantët pro rus në Serbi dhe rajon, por edhe për anti perëndimorët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut...

Pa dyshim, lufta për Kosovën është fituar tashmë nga perëndimi. Dyshime dhe defetizëm përhapin vetëm ato forca që nuk e duan Kosovën në Evropë, në NATO dhe me perëndimin. Lufta e perëndimit tashmë po zhvillohet për Serbinë. Do të kthehet kah Evropa si është deklaruar kur ka bërë kërkesën për anëtarësim në BE, apo do të vazhdojë të jetë instrument i politikës ruse në Ballkan, kjo është çështja.

Nga strategjia e zvarritjes, të cilën Serbia po e aplikon në negociata, është vështirë të besohet se ajo ka vullnet apo ka kapacitete për të ndërtuar paqen në rajon. 

Marrëveshja me Kosovën për normalizim dhe zbatimi i saj brenda kornizës së planit evropian, do të ishte kthesa dramatike drejt Evropës dhe këtë kthesë nuk mund ta bëjë pa një luftë të brendshme me klero-nacionalizmin serb.

Këtë kthesë, Serbinë zyrtare nuk e lejojnë ta bëjë, strukturat paralele, të cilat ajo i kishte ndërtuar dikur për luftëra speciale në Kroaci, Bosnjë, Kosovë e Mal të Zi dhe të cilat pasi i humbën luftërat atje, janë tërhequr dhe konsoliduar në Serbi me një ndikim të fuqishëm në shoqërinë dhe shtetin serb. 

Këto struktura “paralele” patën ndërtuar shtete brenda shteteve, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe këtë tentuan ta bëjnë edhe në Kosovë e në Mal të Zi. “Republika Srpska Kraina” u shpartallua nga shteti kroat, ndërsa Republika Srpska ende është entitet që mban peng Federatën Boshnjake dhe sfidon NATO-n dhe perëndimin me orientimin e haptë prorus.  Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet që një entitet të tillë ta ndërtojnë me çdo kusht edhe në Kosovë. E tërë lufta e Serbisë në Kosovë po zhvillohet rreth këtij modeli, nga i cili Serbia zyrtare nuk po arrin të shkëputet.

Rënia e këtij modeli, e rrokullisë jo vetëm “Zajednicën” por edhe shtetin serb brenda federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Rënia e këtij modeli dhe strukturave që e mbajnë gjallë, e bëjnë Serbinë një shtet normal, një fqinj të mirë dhe një vend evropian.

Vizita e kryetarit të Republika Srpska në Moskë është momenti kulmor i luftës brenda serbe për pozicionim në marrëdhëniet Rusi- Perëndim. Mitingjet dhe kundër mitingjet në Beograd janë matje përfundimtare e forcave në mes tyre, dhe përgatitje për luftën vendimtare që synojnë ta ndezin pikërisht në Kosovë.

A do, dhe a ka fuqi Vuqiç të drejtojë vendin drejt Evropës?

Perëndimi tashmë e ka të qartë se nuk mund ta lejojë “shtetin serb” brenda Kosovës, por nuk mund ta lejoj as një luftë të re në Ballkan, së paku jo përpara kundërofensivës së paralajmëruar ukrainase. Prandaj, reagimi amerikan dhe evropian bëhet për të ruajtur “baraspeshën e frikës” në Serbi, për të treguar se gjithçka është nën kontroll, në kohën kur në Kosovë po zhvillohen ushtrimet më të mëdha ushtarake të NATO-s, në rajon ku Kosova merr pjesë si shtet dhe me ushtrinë e saj.  Mos reagimi i SHBA do të thoshte se Kurti ka marrë aprovimin e SHBA për “provokim”, se SHBA po kërkon pretekst,  prandaj edhe u urdhërua ngritja e gatishmërisë së Ushtrisë serbe... nga frika.

Mesazhi i ushtrimeve ushtarake “Mbrojtja e Evropës 2023”, është i qartë për militantët pro rus në Serbi dhe rajon, por edhe për anti perëndimorët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. 

Është parandaluese! Është çështja që këto forca që synojnë të provojnë sërish të realizojn projektin e “Serbisë së Madhe”, të dështuar në fund të shekullit XX, i cili kishte për synim të mbledh në një shtet të gjithë serbët, të mos e ndezin sërish zjarrin e konfliktit. 

Në njëfarë mënyre, ky qëllim i tyre tashmë është arritur veçse në drejtim të kundërt, sepse disa qindra mijë refugjatë serb ikën nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova dhe u sistemuan në Serbi, pasi kishin dështuar të pushtojnë apo coptojnë këto vende në emër të mbrojtjes së pakicës serbe që jetonte atje. Pastaj, civilët ikën pas tyre, në Serbi.

Në fund, në kohën kur po maten forcat në Serbi, Sekretari Gjeneral në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, reagoi tërë mllef se përse askush nuk e kishte pyetur Serbinë lidhur me këto ushtrime ushtarake që po mbahen në “territorin e saj”,  në Kosovë. Askush nuk u përgjigj. E injoruan!

Në fund të fundit, përse të pyetej Serbia? Ajo ka mundur të jetë edhe vetë pjesë e këtyre ushtrimeve që po mbahen në shtetin fqinjë. Është zgjedhje e saj nëse e do Kosovën si koloni apo partnere. Perëndimi ia ka treguar rrugën e Serbisë për në Evropë, e kjo është marrëveshja me Kosovën. Kosova është edhe shkopi edhe karota, për Serbinë./Pamfleti

kosova lufta e perëndimit serbia karrota shkopi beogradi