Kosova21 Mars 2023, 11:31

Marrëveshja e Ohrit/ Kurti thirrje ndërkombëtare: Dënoni Serbinë!

Shkruar nga Pamfleti

Marrëveshja e Ohrit/ Kurti thirrje ndërkombëtare: Dënoni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë dhe dënojnë sjelljen e Serbisë për moszbatim të marrëveshjes së rënë dakortë në Ohër, më 18 mars.

Kurti ka thënë se zbatimi i marrëveshjes duhet të fillojë menjëherë, sepse nuk ka një afat se kur duhet të fillojë zbatimi.

“Pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë e ta dënojë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, nuk mund të flasë sikur kurrë s’do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto. Kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë aleatët, miqtë tanë, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë e të përkushtuar e kreativë si asnjëherë”, ka thënë Kurti pas konferencës nacionale me temë "Profesionistët e punës sociale në sistemin e mbrojtjes sociale” që është mbajtur në Prishtinë.” tha Kurti.

Ai ka shtuar se topi nuk është më në fushën e Kosovës, por të Serbisë sepse   në takimet e Brukselit ka bërë propozime dhe oferta të cilat nuk nënshkruhen nga pala Serbe.

“Unë bëj propozime dhe oferta që refuzohen dhe në fund merremi vesh ama ata nuk nënshkruajnë. Për të tjerat me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm, dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u mbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës”, është shprehur Kurti.

Të shtunë e javës që shkoj, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, pas përfundimit të diskutimeve mes palëve ka kumtuar se Marrëveshja dhe Aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara, bazuar në deklaratën e tij. Kurti ishte i gatshëm të vinte firmë mbi të, por Vuçiçi refuzoi.

albin kurti