Kosova11 Shtator 2023, 17:22

"Masat e BE-së ndaj Kosovës nuk janë proporcionale", Osmani nga samiti i Brdo Brijunit: Presim që Kroacia të iniciojë heqjen e tyre

Shkruar nga Pamfleti

"Masat e BE-së ndaj Kosovës nuk janë proporcionale",

Samiti i Radhës i Bërdo-Brijunit u ndal në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski mikpriti një e nga një të gjithë krerët e shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimeve bilaterale që ka zhvilluar gjatë ditës së sotme ka folur edhe për masat e vendosura nga BE ndaj Kosovës.

“Unë i kam diskutuar në takime bilaterale që kisha në radhë të parë me presidentin Pendarovskin ku e informova për hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për shtensionim të situatës dhe sfidat që po përballemi.

“Gjithashtu me presidentin Milanoviq diskutuam mbi të gjitha që BE-ja që t’i largojë masat në raport me Kosovën që nuk janë proporcionale. Presim që shtetet që na kanë përkrahur aq fort si Kroacia të ndërmarrin hapat e parë për të iniciuar largimin e këtyre masave”, u shpreh Vjosa Osmani.

Ajo shtoi se Kosova po vazhdon të luajë një rol për të kontribuar në të ardhmen e Ballkanit.

“Kosova vazhdon të luajë një rol aktiv për të kontribuar në të ardhmen e rajonit tonë dhe është e përkushtuar në rrugën tonë euroatlantike”, tha ajo.

osmani kosove masa samit