TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Mars 2026, 16:25

Ngërçi për presidentin e ri, Albin Kurti refuzon dekretin e Osmanit: Nuk ka zgjedhje të reja pa u shprehur Kushtetuesja!

Shkruar nga Pamfleti
Ngërçi për presidentin e ri, Albin Kurti refuzon dekretin e
Albin Kurti

Kurti bëri të qartë se nuk e pranon dekretin e Presidentes Osmani, duke thënë se pret verdiktin e Gjykatën Kushtetuese.

Lufta politike në Kosovë pas ngërçit për zgjedhjen e presidentit të ri sapo ka nisur. Pak orë pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike për caktimin e zgjedhjeve të reja pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti ka dalë në konferencë për shtyp.

Ai bëri të qartë se nuk e pranon dekretin e Presidentes Osmani, duke thënë se pret verdiktin e Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese”, tha ai, duke shtuar zgjedhjet do zgjasin agoninë institucionale. 

“Falënderoj 66 deputetët e mazhorancës të cilët morën pjesë në seancën e Kuvendit dhe respektuan kushtetueshmërinë kur filloi procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës Mirëpo ky proces nuk arriti ta konsumojë as raundin e parë pasi munguan që të gjithë deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK dhe partia që vazhdon të dirigjohet nga Beogradi, Lista Serbe. Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohet kuorumi. Të gjithë e kemi pa mbrëmë pamjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës, kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare sepse nuk ishin. Asnjë deputet që nuk erdhi nuk njoftuan kryetaren Haxhiu për arsyen e mungesës, prandaj kjo lëndë tash është në Gjykatën Kushtetuese. Është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çka i ka zgjedhur populli i Kosovës dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seanca plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë. Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përbën edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbar e mirë si gjithnjë”, deklaroi Kurti. 

Sipas tij, nga momenti i fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta parasheh një afat prej 60 ditësh që duhet të kalojnë para se të mund të shpërndahet Kuvendi.

“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.

"Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars", shtoi ai.

“Nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh për t’u shpërndarë Kuvendi”, deklaroi Kurti, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me afatet dhe rregullat kushtetuese.

Kurti theksoi se zgjedhjet e përsëritura do të kishin edhe kosto të konsiderueshme financiare.

“Në këtë situatë unë shoh një zell për zgjedhje të reja. Por nuk shoh se zgjedhjet e përsëritura do të jenë zgjidhje e problemit dhe së paku do të kushtojnë rreth 10 milionë euro”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti mbrëmjen e djeshme të zhvillojë votimin për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues, pasi në sallë nuk u sigurua numri i nevojshëm i deputetëve.

Në seancën e zhvilluar për këtë çështje, në sallën e parlamentit ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë nga shumica parlamentare. Opozita nuk mori pjesë në seancë, duke bërë që të mos plotësohej prania minimale prej 80 deputetësh e kërkuar për zhvillimin e votimit.

Fillimisht, propozimi i vetëm për postin e presidentit ishte Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje. Procedura kërkon të paktën dy kandidatura për të zhvilluar garën për kreun e shtetit. Në këtë situatë, në momentet e fundit shumica parlamentare paraqiti edhe kandidaturën e Fatmire Kollçaku-Mullhaxha.

Paralelisht, presidentja Vjosa Osmani paraqiti në Kuvend një propozim për ndryshime kushtetuese që parashikonin zgjedhjen e presidentit përmes votës së qytetarëve dhe jo nga parlamenti. Kuvendi nuk i miratoi këto ndryshime.

Për shkak të mungesës së kuorumit, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ndërpreu seancën pa zhvilluar votimin. Pas përfundimit të seancës, kryetarja e Kuvendit i kërkoi Gjykatës Kushtetuese pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

 

albin kurti gara per president kosove

4 Komente

  1. B
    Balshaj

    Ky khamenei kosovar ka për ta shkatërruar kosovën.

    1. S
      Skenderbeu

      E ngaterruar kjo pune, veriun e Kosoves e vuri nen kontroll Albini, ka bere gjithe ato gjera per Kosoven. Se ku jane perplasur me Vjosen ec e merre vesh.... e sheh si rivale apo i ka thene dikush hiqe --- eshte e paqarte. Si Spiropali me skenderbeun tone ketu - sa te mbrapsht qe jemi.

      1. M
        Miri

        Lavdi Albim Kurtit Turpi e mbulofte kryemalokun e Ripjelljes

        1. O
          Opionisti

          Do ta pranosh zgjedhjedhje se pasta 2027 ke shqiperii kosove dhe referedum

          Lini një Përgjigje