Kosova29 Shtator 2023, 16:01

Osmani takohet me ambasadorët e QUINT-it: T'i kërkohet llogari Serbisë për sulmin në Veri

Shkruar nga Pamfleti

Osmani takohet me ambasadorët e QUINT-it: T'i kërkohet llogari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kërkojë llogari Serbisë për sulmet në veri, “duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”.

Gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, Osmani bisedoi për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, tha Osmani.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Serbia ka mohuar se ka gisht në sulmin që Kosova e konsideron terrorist dhe akt agresioni kundër saj.

“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, u shpreh Osmani.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca.

Millan Radoiçiç tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit përmes avokatit të tij pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi dhe një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiçi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

Përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, Kosova ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

vjosa osmani kosova kerkese