
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk ka qëllim që të urdhërojë futjen e forcave ushtarake të Serbisë brenda territorit të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lëvizje “të paprecedentë” nga Beogradi.
Në një deklaratë për “Financial Times” të shtunën, Vuçiçi ka thënë se Serbia do ta ulë numrin e forcave në atë pjesë. Sipas tij, përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat evropiane të Beogradit.
“Përse do të ishte e favorshme kjo për Beogradin? Cili do të ishte qëllimi? Të shkatërrojmë pozicionin që kemi krijuar për një vit? Ta shkatërrojmë në një ditë? Serbia nuk dëshiron luftë”, tha ai.
Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën se janë duke përcjellë me vëmendje “lëvizjen e paprecedentë të artilerisë, tankeve e njësive të tjera ushtarake serbe” përgjatë kufirit me Kosovën duke e cilësuar lëvizjen si “shumë destabilizuese”. Megjithatë, sipas Vuçiçit, numri i forcave serbe në terren “është në rënie”.
“Vitin e kaluar kemi pasur 14 mijë trupa pranë vijës administrative, sot kemi 7500 dhe do ta reduktojmë numrin në 4 mijë. Dërgimi i trupave serbe në vijën administrative është rrenë e pastër... Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do ta rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Prishtinën”, ka thënë ai.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.
Lini një Përgjigje