Kosova 3 Prill 2023, 17:03

Përfundon dita e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nesër pritet të flasin avokatët mbrojtës

Shkruar nga Pamfleti

Përfundon dita e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të

Dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK) Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ka përfunduar pas deklaratës së prokurores të Gjykatës Speciale.

Prokuroria sot pati pesë orë kohë që të paraqiste deklaratën hyrëse. Në të, pati shumë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndërkohë që ditën e nesërme më datë 4 prill, pritet që ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo u konfirmua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith i cili tha se nesër do të vazhdojë gjykimi me deklaratat hyrëse të avokatëve të të akuzuarve.

Sot mbyllim seancën publike. Takohemi nesër më 4 prill në orën 09:00 paradite për të vazhduar me deklaratat hyrëse të Mbrojtjes. Fillojmë me Mbrojtjen e Thaçit”, tha Smith.

Kujtojmë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dolën sot para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin ata me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata akuzohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe dyshohet të jenë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Ish krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ndërkohë që në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.

senaca gjyqësore uÇk hagë