
Zyra e Prokurorisë Speciale ka vijuar të paraqesë prova që inkriminojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në krime kundër njerëzimit.
Bëhet me dije se Prokuroria ka listuar para trupit gjykues disa nga vendodhjet ku dyshohet se janë kryer disa nga krimet me autorizimin e të akuzuarve. Mësohet se viktimat janë keqtrajtuar në stalla kafshësh, ku të paktën 102 persona humbën jetën nga dhuna mizore.
Më tej, në njoftimin e Prokurorisë është përmendur edhe transferimi dhe keqtrajtimi i disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgorës. Sipas ZPS-së, ky veprim u krye me vendim dhe me dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Viktimat u keqtrajtuan nëpër stalla kafshësh me urdhër të Shtabit të UÇK-së. Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u maltretuan fizikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike ose etnike. Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore. Pra, ishin të zgjeruara, pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë.
Në Jabllanicë, ku siç është në aktakuzë, në prill të 1998-s dhe korrik të 1998-s, u mbajtën 13 persona në periudha të ndryshme kohore. Në këtë vend, ku shfrytëzohej si kazermë ishin 3 të vrarë dhe 1 i zhdukur me forcë. Të akuzuarit vizituan Jabllanicën. Të paktën 4 viktima që ishin mbajtur, njëri prej tyre ishte pronar i një dyqani, e një i ri donte të kyçej në UÇK. Si pasojë e rrahjeve, njëri s’mund të merrte frymë mirë, e tjetri ishte ënjtur. Ata u akuzuan si kolaboracionistë dhe spiunë.
Anëtarë të UÇK-së e morën një banorë të Zllashit e rrahën dhe kur e dërguan e rrahën atje disa pjesëtarë të UÇK-së. Ai u akuzua si kolaboracionist dhe u rrah, duke i shkaktuar lëndime të rënda”, u tha nga ZSP-ja.