Kosova 3 Prill 2023, 16:14

Djegia e makinave në veri të Kosovës, BE thirrje palëve: Mos merrni vendime që mund të ndikojnë vazhdimësinë e marrëveshje së Ohrit

Shkruar nga Pamfleti

Djegia e makinave në veri të Kosovës, BE thirrje palëve: Mos

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog, teksa shtoi se shpreson se ajo që ndodhi ditët e fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilët do të takohen të martën në Bruksel.

Presim nga të dyja palët që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin, pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete", tha Stano.

Ai shtoi gjithashtu se palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, do të takohen më 4 prill në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Stano e quajti takimin e nesërm si "shumë të rëndësishëm", ngase siç tha "palët do të mblidhen për herë të parë që nga marrëveshja e Ohrit dhe do të diskutojnë pikërisht për hapat e nevojshëm për implementimin e obligimeve që dalin nga ajo marrëveshje dhe nga aneksi i saj”.

Kujtojmë se më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

kosova serbia tensionet be