Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, deklaroi se aleanca mirëpret hapat e mëtejshëm të Kosovës dhe Serbisë në rrugën e normalizimit dhe kërkojmë përparim të mëtejshëm.
Përmes një postimi në Twitter, Geoana u shpreh se NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Thirrje e mirë e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak. Ne mirëpresim hapat e mëtejshëm të Beogradit dhe Prishtinës në rrugën e normalizimit dhe kërkojmë përparim të mëtejshëm.NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë KFOR-in”, shkroi ai në Twitter.
Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, për shkelje të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se deklaratat e Vuçiçit, të bëra më 28 shkurt se Serbia nuk do të pranojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, përbëjnë shkelje të nenit 4 të propozimit evropian, që palët e pranuan gjatë rundit të dialogut të mbajtur të hënën.
“Mbrëmë, presidenti i Serbisë u zotua se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kjo do përbënte shkelje të qartë të nenit 4 të propozimit të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia duket se ka zgjedhur të mos e bëjë këtë”, shkroi Kurti në Twitter.
Lini një Përgjigje