Kosova29 Maj 2023, 09:53

Serbët rrisin tensionin në Veri; në Zveçan sulmohet KFOR: Kjo është Serbi!

Shkruar nga Pamfleti
Serbët rrisin tensionin në Veri; në Zveçan sulmohet KFOR:
Situatë e nderë në Zveçan të Kosovës

Kurti ka të drejtë, nëse tërhiqet nga zbatimi i ligjit, atëherë jo vetëm që nuk është më kryeministër, por edhe veriu e Kosova bien në kaos...

Ka nisur një tension i lartë në tre komunat e veriut që në orët e para të mëngjesit, pranë ndërtesave komunale, ku duhet të paraqiteshin kryetarët e rinj.

Ndërsa në Zubin Potok dhe Leposaviç, ka qenë KFOR që ka marrë situatën në dorë dhe në një farë mënyre është vënë një lloj qetësie, gjendja mbetet e nderë në komunën e Zveçanit. Aty ku janë prezent edhe drejtuesit e Listës Serbe me në krye Goran Rakiçin.

Gjatë procesionit njerëzit e Listës Serbe kanë tentuar të hyjnë me forcë në selinë e komunës, por policia e Kosovës i ka ndalur me vendosmëri, duke përdorur në një rast edhe spraj me piper. Njerëzit e Listës Serbe kanë provokuar situatën duke thirrur “ecni, ecni” dhe “Kjo është Serbi”.

Të pafuqishëm për të depërtuar brenda komunës, paramilitarët e Listës Serbe kanë sulmuar verbalisht ushtarët e KFOR-it polak, duke i kërkuar të reagojnë. Ndërkaq, drejtuesi i njësisë policore të Kosovës, me një gjakftohtësi për ta pasur zili dhe në gjuhën serbe, i ka thënë krerëve të protestës dhe Goran Rakiçit: Ju lutem tërhiquni!

“Ju lutem mos shkaktoni incidente. Ju bëj të ditur se nuk mund të hyni në ndërtesën e komunës, nuk mund të na çani me forcë, nuk mund të bëni përpara, se kemi marrë të gjitha masat dhe kemi kapacitetet për të përballuar situatën. Ju bëj thirrje të mos konfrontoheni”.

Më pas drejtuesit e Listës Serbe janë ankuar para mediave se nuk i lënë të shkojnë në punë, nuk i lënë fëmijët të shkojnë në shkolla, ndërkohë që ndalimi është vetëm për ndërtesën e komunës. Nga ana tjetër benzinë zjarrit i ka hedhur edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili ka sulmuar fort forcat e KFOR-it. Kjo ka ndodhur pasi në Leposaviq komandanti i trupave të KFOR i ka bërë të qartë protestuesve të udhëhequr nga ish-kryetari i komunës i Listës serbe se nuk është aty për të negocuar por për të krijuar një mjedis të sigurtë e të qetë për qytetarët.

“Tani po i mbrojnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes, duket se po i mbrojnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Ata nuk mund të jenë kryetarë komunash në komunat serbe të cilët nuk janë zgjedhur nga serbët.” – ka thënë Daçiç për televizionin publik serb.

“Rezultati i gjithë kësaj është një plan tinëzar, që Kurti lejohet të bëjë diçka, bashkësia ndërkombëtare po proteston tashmë... Të gjithë tani po protestojnë kundër Prishtinës për atë që bënë, përfshirë edhe KFOR-in.

Roli i KFOR-it nuk është të protestojë, por ta bëjë të pamundur atë veprim të njëanshëm”, tha Daçiç.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Prishtinë, ka thirrur tre kryetarët e rinj të komunave të veriut, takim që po mbahet në këto momente. Përveç, agjendës për të shmangur përplasjet, duket se qëllimi është që të mos agravojë situata.

Megjithatë, duhet theksuar fakti se reagimi i SHBA dhe BE-së, duke mbrojtur serbet, ka sjellë një gjendje të nderë. Në mënyrë të çuditshme Perëndimi po i thotë “marshallah” një situate absurde që do majiset më shumë. Nëse do të duhet të kërkohet vendosja e rendit, kjo nuk bëhet duke agravuar institucionet. E këtu ka të drejtë Kurti, i cili nëse tërhiqet nga zbatimi i ligjit, atëherë jo vetëm që nuk është më kryeministër, por edhe veriu e Kosova bien në kaos. / Pamfleti

serbët zveçan rriten tensionet kfor albin kurti