Kosova 2 Mars 2023, 12:37

Të panjohurat e negociatave Vuçiç- Kurti në Bruksel, Asocacioni dhe lirimi i kriminelëve të veriut

Shkruar nga Pamfleti
Të panjohurat e negociatave Vuçiç- Kurti në Bruksel,
Takimi i Brukselit

Aleksandër Vuçiç e ka pranuar planin franko- gjerman në Bruksel, të hënën, por firmosja është lënë pas dy javësh.

Pas mbërritjes në Beograd, në mbyllje të negociatave të Brukselit, Aleksandër Vuçiç po rreket të përsërisë se nuk do ta pranojë as njohjen e Kosovës dhe as anëtarësimin e saj në OKB. Gjë që plani nuk se e parashikon, pasi ai bën fjalë për një funksionim normal të dy vendeve mes njëri-tjetrit, duke njohur de fakto dokumentet dhe autoritetet e ndërsjellta.

Megjithatë, ka dy javë kohë deri në firmosjen finale, si dhe tre muaj apo edhe pak më shumë deri në atë që quhet pakti final për njohje të ndërsjelltë.

Ajo që mediat serbe kanë zbuluar nga negociatat e Brukselit, është që Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk do të nisë zbatimi apo hartimi i statusit të Asocacionit të Komunave Serbe, pa u njohur Kosova ekzaktësisht si entitet shtetëror nga Beogradi, ose të paktën të ketë një dokument me shkrim, ku Serbia si shtet fqinj, nuk do të pengojë qytetarët e Kosovës, vetëm se kanë një dokument shtetësie si pasaporta e saj.

Këtë e bën të ditur numri i sotëm i gazetës së Beogradit ‘Blic’, e cila thekson se Asocacioni nuk do të nisë të zbatohet pa njohjen shkresore.

Ky akt duket ka vënë në siklet qeverinë e Beogradit, e cila nëpërmjet bashkëpunëtorëve të saj në qarqet shqiptare po hap dizinformacione për krijime të Asocacionit të Komunave shqiptare në Seerbi dhe Maqedoninë e Veriut.

Së pari ishte idiotësia e kërkesës së Alternativës Shqiptare në Maqedoninë e Veriut për një Zajednicë shqiptare atje, ku fakt është se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë rregulluar statusin e tyre nga Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta e Maqedonisë.

Ndërkaq, po sot, mediat e Beogradit janë mbushur me një lajm ‘fake’ të një farë media shqiptare në Zvicër, që lançon krijimin e Asocacionit të Komunave Shqiptare në Serbi.

Kur në fakt, sipas marrëveshjes së vitit 2001 në Preshevë shqiptarët kanë falë ndërmjetësimit amerikan Këshillin Kombëtar Shqiptar, që është një institucion përfaqësues i rëndësishëm i tyre dhe që zgjidhet prej 23 vjetësh në mënyrë demokratike.

Nefail Maliqi, një shqiptar i Preshevës i lidhur fort me serbët, furnizon prej kohësh mediat serbe me material që kanë dalë nga kuzhina e shërbimit sekret serb.

Ndërkaq, një tjetër fakt i rëndësishëm i panjohur i negociatave të Brukselit, është kërkesa serbe për të liruar kriminelët e veriut, të arrestuar nga policia e Kosovës. Siç bën të ditur ‘Blic’, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, kërkon lirimin e menjëhershëm të

Miljan Axhiç dhe Sllagjan Trajkoviç, të cilët janë arrestuar për trazirat e rënda në veri. Qeveria seerbe kërkon lirimin e tyre deri në mbajtjen e gjyqit, çka në fakt është një kompetencë ekskluzive e gjykatës.

Qeveria e Serbisë ka dhënë garanci shtetërore se Axhiç dhe Trajkoviç do të jenë në dispozicion të misionit të EULEX-it gjatë gjithë kohës së procedurës kundër tyre, duke garantuar se nuk do të arratisen.

Miljan Axhiç u arrestua më 9 dhjetor 2022 në vendkalimin e Jarinjes, ndërsa Sllađan Trajković u arrestua më 15 dhjetor në po të njëjtin vend. / Pamfleti

negociata asocacioni lirimi i krimvelëve veriu i kosovës takimi i brukselit