Kosova 2 Qershor 2023, 18:40

Tensionet në Veri, Krasniqi: Serbia fajtore, por Kurti ra në grackën e Vuçiç

Shkruar nga Pamfleti
Tensionet në Veri,  Krasniqi: Serbia fajtore, por Kurti ra në
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur rreth tensioneve në veri të Kosovës.

Ai u shpreh se është presidenti serb Aleksandër Vuçiç që qëndron pas protestave të dhunshme, por për fat të keq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bie në grackën e tij.

“Asnjë qytetar, asnjë banor i Kosovës nuk mund të ndihet mirë kur ne mund të kemi për herë të parë në historinë e ekzistencës tonë dënime dhe denoncime kaq të ashpra nga të gjitha nivelet e shteteve anëtare të QUINT-it dhe sidomos nga SHBA-ja, deri në nivelin e Sekretarit të Shtetit, zotit Blinken që fajëson Kosovën dhe kërkon të ndalen masat e dhunshme, janë fjali të cilat nuk e bëjnë askënd të ndihet mirë, por në këtë rast përgjegjësia është e kryeministrit që i ka marrë vendimet me kokën e tij, pa konsultuar askënd dhe në kundërshtim dhe me kërkesat e partnerëve tanë.

Normalisht që e di saktë dhe besoj më mirë se zoti Kurti se çfarë veprimesh për vite me radhë kanë ndërmarrë strukturat kriminale në veriun e vendit, por pse duhet kryeministri i Kosovës të bjerë në grackën e Aleksandër Vuçiçit, këtu është pyetja,” – u shpreh Krasniqi.

Pas telefonatave me disa zyrtarë amerikanë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënvizoi me tone të ulura se është i përkushtuar të punojë me SHBA-në për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Por deri në zgjedhjet e reja, siç nënkupton kryeministri, rruga drejt shtensionimit të situatës është “largimi i turmave të dhunshme para ndërtesave të komunave dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes se Brukselit është rruga drejt de-përshkallëzimit deri në zgjedhjet e reja”.

 

memli krasniqi kurti veriu i kosovës