Ana Brnnabiç, kryeministrja e Vuçiçit, ka hapur thesin dhe pritet të ndahen para në formë mbështetjeje sociale për një numër të madh familjesh, që të ndikojnë në mospjesmarrje në zgjedhje.
Aleksandër Vuçiç është në panik, pasi ka marrë sinjale se një numër i konsiderueshëm serbësh në veri do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore, të parapara më 23 prill.
Bojkoti publik i Listës, duket se nuk ka sjellë një bindje në shumicën e popullatës serbe të veriut të Kosovës, e cila prej vitesh e vitesh është peng i politikës së Beogradit.
Kjo ka shqetësuar strukturat e aparatit të shërbimit sekret të Beogradit, i cili vepron lirshëm në të katër komunat e veriut.
Prej ditësh, në veri ka një atmosferë kërcënimesh dhe dhune ndaj çdo qytetari që ka pranuar të marrë shërbimet nga institucionet e Kosovës. Në veri janë djegur disa makina, të serbëve që kanë marrë përsipër që t’i regjistrojnë ato me targa të Kosovës.
Beogradi, i cili nuk ka dënuar asnjë nga këto akte dhune, po përhap lajme në mediat e veta, sikur policia e Kosovës po ushtron terror ndaj serbëve të veriut.
Dje dhe sot, po mbahet në headline, lajmi i një taksisti, që sipas Beogradit është dhunuar nga forcat speciale ngaqë ka mbajtur targën KIM.
Por e gjitha kjo situatë është stisur për të ndaluar zgjedhjet lokale, e për këtë Vuçiç, me urgjencë, ka thirrur sot një takim në Rashkë me vasalët e vet në Mitrovicën e Veriut.
Siç bën të ditur media nacionaliste serbe, Veçernje Novosti, e cila është hapur filo- putiniane, Beogradi do të japë para për të gjithë serbët që nuk marrin pjesë në proces zgjedhor. Është përgatitur një plan, që brenda ka edhe kulaçin, edhe kërbaçin, me kërcënime dhe joshje direkte nga fondet qeveritare të Serbisë.
Vuçiç ka thirrur të gjithë kabinetin e tij qeveritar me në krye kryeministren Brnabiç në Rashkë, ku ndodhen edhe kazermat dhe bateritë e artilerisë të drejtuar për nga Kosova.
Siç shkruan Novosti, Vuçiç ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare, që sipas tij, po lë në mes të rrugës serbët e veriut të Kosovës.
Presidenti i Serbisë, dje ka zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, të cilit i është qarë se Xhelal Zveçla dhe ROSU po dhunojnë serbët.

Megjithatë, plani është i qartë, duke parë vendosmërinë e institucioneve të Kosovës, që në veri të mbahen zgjedhjet. Policia atje po krijon kushtet për një proces sa më normal, pastaj do të varet nga banorët nëse do të marrin pjesë apo jo.
Për këtë, Ana Brnnabiç, kryeministrja e Vuçiçit, ka hapur thesin dhe pritet të ndahen para në formë mbështetjeje sociale për një numër të madh familjesh, që të ndikojnë në mospjesmarrje në zgjedhje.
Igor Simiç, nënkryetari i Listës Serbe ka akuzuar hapur KFOR dhe EULEX se po i lenë të pambrojtur, ku në fakt njerëzit që kërcënojnë në 4 komunat e veriut janë vetëm horrat e BIA-s serbe, që nuk lënë njeri pa kërcënuar, edhe nëse merr një certefikatë apo shërbim në institucionet vendore të veriut, të cilat në fund të vitit të shkuar u bojkotuan me urdhër të Aleksandër Vuçiçit.
Por si Beogradi, ashtu edhe Lista serbe ka një standard të dyfishtë me bojkotin e tyre. Milan Radojeviç, dha dorëheqjen si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, por vijon punën, që nga tërheqja e rrogës në bankë e deri tek përdorimi i stafit si peng i Serbisë. E këtu, duhet të ndërhyjë qeveria e Kosovës që ta komandojë komunën me një njeri që nuk e ka braktisur.
Radojeviç ka thënë për mediat serbe se “Në veri të Kosovës mjafton të jesh serb dhe të kesh një veturë me targa KM dhe të të qëllojnë policët pas shpine. Sveçla e arsyeton plagosjen e Jovanoviçit duke mos u ndalur. Ju marrin tokën dhe ndërtojnë baza ushtarake, fëmijëve u ndalohet të merren me sport dhe të luajnë në klubet që u pëlqejnë, dhe komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për zgjedhje të ndershme dhe demokratike”.
Edhe fantazia e një fëmije nuk i beson dokrrave të tilla që mund të ndodhin në një realitet që e monitoron NATO, BE, pra EULEX, Prishtina dhe Beogradi.
Por Ministri i Mbrojtjes të Vuçiçit, Millosh Vuçeviç, ka zbuluar në fund objektivin e planit të Serbisë për veriun e Kosovës, i cili synon të ndalojë çdo instalim të një administrate vendore serbe në Kosovë, deri në formimin e Asocacionit të Komunave. Pasi nëse një administratë lokale serbësh do të formohet jashtë kontrollit të Beogradit, atëherë, kjo do të ishte ndoshta normale, por jo levë e Aleksandër Vuçiçit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje