Kosova12 Prill 2023, 21:25

U sulmua nga 3 persona, reagon për herë të parë gazetari Syla: Dhuna ndaj meje për motive fetare

Shkruar nga Pamfleti

U sulmua nga 3 persona, reagon për herë të parë gazetari

Një ditë pasi u sulmua fizikisht nga tre persona, gazetari Valon Syla, ka reaguar në lidhje me ngjarjen.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Syla shkruan se ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa shpjegon se pas debatit në televizionin privat, T7, bashkë me drejtuesin e emisionit, Leonard Kërqukin dhe gazetarin tjetër, Ilir Mirena, kanë shkuar në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Gazetari Syla deklaron se sulmi ndaj tij, mund të ketë lidhje me reagimet e që ka bërë për rastin siç e quan ai, të 'Mulla Mercedesit' dhe ngjarjeve në BIK duke iu referuar kështu disa militantëve islamit.

Më tej, Syla shkruan se ajo që e shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimi i tij, përveçse ishte i faktuar, kishte edhe dozë të theksuar të humorit. Ai shkruan gjithashtu se feja është e rëndësishme dhe njerëzimi nuk do të arrinte këtu ku është pa të mirat e saj.

Postimi i plotë:

Ju kërkoj ndjesë, që me vonesë po shkruaj publikisht. Por dua të ju them se jam mirë dhe ju falenderoj për mbështetjen e madhe, miqve, institucioneve të vendit e kolegëve gazetarë.

***

Ishim në debat te Lleo në Pressing, dhe sulmuesit na kishin përcjellë prej se kemi dalë nga ndërtesa e T7 duke na u vënë pas me veturë, na gjetën deri te vendi ku jemi ndalur, unë, Ilir Mirena dhe Leonard Kerquki për takim edhe me disa gazetarë të tjerë pas debatit.

Këtë herë e kishim zgjedhur kafiterinë Image në Breg të Diellit për tu takuar. Dhe pikërisht para shkallëve duke hy në lokal u sulmova nga 3 persona, në dukje islamik fanatik.

Sulmi me çdo gjasë ka të bëjë me reagimet e mia rreth 'Mulla Mercedesit' dhe ngjarjeve në BIK, që duket se nuk ju ka pëlqyer fare dhe kështu ka nxitur këtë komunitet të militanteve islamik të organizojne sulm fizik të paramenduar.

Nuk e di a i ka porositur ndokush, por kjo mjaftoi që të pësoj lëndime të rënda në kokë, dhe në dorën e majtë.

***

Ajo që më shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimet përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit. Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik që sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrinë të pranojë humorin dhe fjalën e lirë, shpalos te ata zymtësinë e theksuar te mendimit dhe mentalitetit të tyre.

Poashtu tendenca e tyre që dhunshëm të imponohen që të arrijë objektiva të errëta dhe fanatike deri në shkeljen e të drejtave më bazike të njeriut, tregon taktikën e tyre kryesore që është frikësimi i masave dhe me sulme sikur ndaj tipave si unë, mundohen t’i frikësojnë të gjithë ata që janë në dy mendje.

Kjo tregon se këta predikues fetarë, e hoxhallarë që nxisin dhunë e prodhojnë kesi militantizmi shpërblehen me mercedesa, nga shefat e Bashkësive Fetare, dhe duke i shpërblyer pregaditen të ushtrojnë dhunë dhe frikësim te të gjithë ata që nuk i përcjellin dogmat e tyre.

Feja është e rëndësishme dhe njerëzimi nuk kishte me arritë këtu ku është pa të mirat e fesë. Poashtu Islami thuhet se nënkupton paqe. Por jo edhe liri.

Unë jam Valon Syla dhe jam libertarian me bindje. Mua dhe kosovarëve si unë nuk ju nevojitet paqja, pa liri.

Kosova është e lirë. Fjala është e lirë.

Frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve si kosovarë.

Andaj flisni, shkruani dhe mbrone lirinë. Por mos e harroni as sensin e humorit. Faleminderit edhe një herë.

Kujtojmë se gazetari dhe analisti i emisionit Pressing në T7, Valon Syla është sulmuar mbrëmjen e djeshme nga tre persona. Syla, i cili ishte pjesë e emisionit Pressing në një debat në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja. Syla sot ka deklaruar se ndodhet mirë me shëndet. Sulmin ndaj Sylën e kanë dënuar autoritetet në Kosovë, duke nisur nga Asosacioni i Gazetarëve, të cilët kanë kërkuar arrestimin e autorëve. Pas tyre ka reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë, i cili ka thënë se sulmi është i patolerueshëm.

sulm gazetar valon syla dhune motive fetare