TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Shkurt 2025, 09:51

Zgjedhjet në Kosovë/ Voton Albin Kurti, mesazh qytetarëve: Dita ku vendosni për 4 vitet e ardhshme!

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Kosovë/ Voton Albin Kurti, mesazh qytetarëve: Dita
Albin Kurti në kutitë e votimit

Albin Kurti synon një mandat tjetër si kryeministër në këto zgjedhje parlamentare.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka hedhur votën e tij ditën e sotme (9 shkurt) për zgjedhjet Parlamentare në Kosovë, ndërsa ka qenë i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë pasi sot vendosin për 4 vitet e ardhshme.

“Dita e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin sovran të Kosovës. Inkurajoj çdo njërin që të votojë. Ushtroni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet. Përdorni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme”, tha Kurti.

Në Kosovë sot po mbahen zgjedhjet parlamentare, të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

28 subjektet politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar vendet në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike. 125 852 mijë qytetarë votojnë për herë të parë. Votojnë Albin Kurti dhe Haradinaj.

Votimi ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit së sotëm, 9 shkurt, dhe mbyllet në orën 19:00 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 941 qendra votimi janë hapur në 38 komunat e Kosovës, ndërsa votimi ka nisur edhe në Mitrovicën e Veriut. Kjo është hera e parë që qytetarët serbë në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore. Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek./ Pamfleti

 

zgjedhjet ne kosove

Lini një Përgjigje