“Junior Eurovision Song Contest 2025” u mbyll pas një mbrëmjeje plot emocione dhe rivalitet të fortë, ku Franca u shpall fituese pas një gare tepër të ngushtë me Ukrainën.
Fituesja e këtij edicioni është këngëtarja franceze Lou Deleuze me këngën “Ce Monde”, e cila arriti të triumfojë pas një diference minimale të pikëve dhe konkurrencës së fortë me përfaqësuesen ukrainase.
Ndërkohë, Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga 9-vjeçarja Kroni Pula, e cila arriti një rezultat shumë të mirë duke u renditur në vendin e 6-të mes 18 shteteve pjesëmarrëse. Me këngën “Fruta Perime”, Kroni solli një performancë të fuqishme vokale dhe skenike, e cila u prit me duartrokitje të gjata nga publiku në sallë, duke grumbulluar në total 145 pikë.
Votimi i këtij viti solli surpriza dhe mbështetje të gjerë për këngën shqiptare. Një moment i veçantë ishte vlerësimi maksimal prej 12 pikësh nga juria e Francës, vendi fitues i festivalit.
Mbështetja për Shqipërinë ishte e konsiderueshme edhe në votimin online. Nga votat e publikut, ku morën pjesë shikues nga 188 vende të ndryshme të botës, kënga shqiptare siguroi 85 pikë, të cilat rezultuan vendimtare për renditjen përfundimtare.
Ky rezultat konfirmon edhe një herë talentin e artistëve të rinj shqiptarë dhe praninë e tyre dinjitoze në skenat muzikore ndërkombëtare.
Pikë të rëndësishme për Kroni Pulën erdhën gjithashtu nga juritë e: Ukrainës, Holandës, Polonisë, Malit të Zi, Portugalisë, Spanjës dhe Gjeorgjisë.
Lini një Përgjigje