TAGS-AT E JAVËS

Showbiz 4 Shtator 2025, 19:30

Kush ishte Giorgio Armani: nga vitrinat e Rinascente tek perandoria e stilit që ndryshoi modën përjetë

Shkruar nga Pamfleti

Kush ishte Giorgio Armani: nga vitrinat e Rinascente tek perandoria e stilit

Bota e modës ka humbur një gjigant. Giorgio Armani, stilisti që shndërroi mënyrën se si vishen burrat dhe gratë moderne, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Për shumëkënd, emri i tij nuk ishte thjesht një markë, por sinonim i elegancës italiane, disiplinës dhe vizionit të përjetshëm.

Fëmijëria dhe formimi

Armani lindi më 11 korrik 1934 në Piacenza, në një familje modeste. Ishte fëmija i tretë, më i vogli, dhe i preferuari i nënës së tij, Maria, e cila i trashëgoi ndjeshmërinë për estetikën dhe rafinimin. Pas Luftës së Dytë Botërore, familja u shpërngul në Milano, qyteti që do të bëhej skena e suksesit të tij.

Fillimisht u regjistrua për të studiuar mjekësi, i tërhequr nga ideja për t’u marrë me trupin e njeriut. Por pas tre vitesh, e ndërpreu universitetin. Ai vetë thoshte shpesh se anatomia – të kuptuarit e trupit njerëzor – ishte baza që më vonë do ta ndihmonte të krijonte veshje që i përshtateshin “trupave realë”.

Në vitin 1957, nisi punë në La Rinascente, një nga qendrat tregtare më të mëdha italiane. Fillimisht punoi si dritarexhi dhe dekorues vitrinash. Pikërisht aty nisi të formësohej syri i tij i veçantë për linjat dhe estetikën.

Takimi me Nino Cerruti dhe hapat e parë në modë

Në vitin 1964, stilisti i njohur Nino Cerruti, duke parë punën e tij, i besoi linjën e veshjeve për meshkuj të kompanisë së tij. Ishte një pikë kthese: Armani tregoi se kishte aftësinë për të riformatuar veshjet klasike duke i bërë më të lehta, më funksionale, më moderne.

Në të njëjtën periudhë, njohu Sergio Galeotti, arkitekt dhe sipërmarrës i ri, i cili do të bëhej partneri i tij i jetës dhe i biznesit. Galeotti ishte menaxheri, ndërsa Armani ishte krijuesi.

Themelimi i perandorisë

Në vitin 1975 lindi marka “Giorgio Armani”, me mbështetjen e Galeottit. Ai shpiku edhe një term të ri – “stilist” – duke e dalluar veten nga rrobaqepësit klasikë dhe couturier-ët francezë. “Unë krijoj një stil, nuk bëj vetëm veshje”, thoshte Armani.

Risia e tij ishte dekonstruksioni: hoqi shtresat e panevojshme, i bëri xhaketat më të lira, pantallonat më të rehatshme. Gratë i veshur me të njëjtën filozofi si burrat: për punë, për jetën e përditshme, por gjithmonë me klas.

Suksesi ndërkombëtar erdhi me filmin “American Gigolo” (1980), ku aktori Richard Gere veshi kostumet e tij. Nga aty, emri Armani u bë i njohur në mbarë botën. Vetëm dy vite më vonë, më 1982, doli në kopertinën e revistës Time – një privilegj i rezervuar për personalitetet më me ndikim të planetit.

Në vitet ’80 dhe ’90, marka Armani u zgjerua në të gjitha drejtimet: Emporio Armani, Armani Privé (alta moda), parfume, orë, syze, aksesorë, linja sportive EA7, madje edhe hotele dhe restorante. Filozofia ishte e njëjtë: elegancë pa tepri, bukuri pa zhurmë.

Armani shpesh thoshte: “Stili është elegancë, jo stravagancë. Nuk është e rëndësishme të të shohin, por të të kujtojnë.”

Humbja e madhe dhe transformimi

Në vitin 1985, jeta e tij mori një kthesë të dhimbshme. Sergio Galeotti vdiq papritur, duke lënë një boshllëk të madh. “Pas asaj dite, unë nuk isha më vetëm stilist, u bëra edhe sipërmarrës”, kujtonte Armani. Me kokën ulur, vendosmëri të hekurt dhe punë pa fund, ai e ngriti kompaninë në një perandori globale. Ishte i pari që hynte në zyrë dhe i fundit që fikte dritat.

Perandoria dhe refuzimi për të shitur

Gjatë dekadave, marka Giorgio Armani u bë një nga gjigantët e industrisë së modës. Kompania vlerësohet në miliarda euro, por ai refuzoi të gjitha ofertat për ta shitur, qoftë nga grupet franceze të luksit, qoftë nga investitorët amerikanë. “Emri im është mbi këtë markë, dhe kjo është një lidhje që nuk mund të shitet kurrë,” thoshte.

Trashëgimia

Në vitet e fundit, Armani përgatiti me kujdes trashëgiminë: nipërve dhe sidomos mbesës Silvana Armani i la drejtimin kreativ, ndërsa menaxhimin ia besoi partnerit të tij, Leo Dell’Orco. Gjithçka e rregulloi me Fondacionin “Giorgio Armani”, që garanton vazhdimësinë e vizionit të tij.

Fundi i një epoke

Edhe në ditët e fundit, në moshën 91-vjeçare, ai nuk u shkëput nga puna. Miratoi koleksionin e 50-vjetorit, bleu simbolikisht “La Capannina”, vendi ku nisi historia e tij me Galeottin, dhe shijoi verën me familjen në Forte dei Marmi.

Por më 8 shtator 2024, Milano, qyteti që e rriti, shpalli ditë zie për humbjen e ikonës që e bëri Italinë sinonim të elegancës në mbarë botën.

Armani vetë kishte lënë një mesazh për trashëgiminë e tij:

“Shenja që dua të lë është e ndërtuar mbi përkushtim, respekt dhe kujdes për njerëzit dhe për realitetin. Prej aty fillon gjithçka.”

Lini një Përgjigje