
Fituesi i edicionit të fundit të Big Brother VIP Kosova, Londrimi, ka folur në “Post Big Brother” për përjetimet e tij, emocionet pas finales dhe për padrejtësitë me të cilat, sipas tij, është përballur para hyrjes në shtëpinë më të famshme në vend.
Gjatë rrëfimit të tij, ai u ndal te sfidat personale dhe situatat që i ka konsideruar të padrejta jashtë formatit. Londrimi theksoi se, pavarësisht zhgënjimeve apo inatit që mund të ketë ndjerë në momente të caktuara, ka zgjedhur të mos reagojë me të njëjtën monedhë.
“Unë jashtë shumicën e rasteve kur kam has në padrejtësi, unë jam ai personi që sado që kam inati, ose që më bën qajo situatë me ia kthy me të keq, zgjedhi me ia lanë Zotit në dorë”, u shpreh ai.
Ai tregoi se emocionet pas finales kanë qenë aq të forta, saqë nuk ka arritur as të pushojë si duhet. Sipas tij, ndjesia e triumfit ka qenë e papërshkrueshme dhe ende po e përjeton me intensitet.
“Unë akoma jam i emocionuar me finale, s’kam mundur as të fle. Ndjesi e papërshkruar, nuk ka fjalë që e përshkruan ndjesinë”, tha Londrimi.
Më tej, ai theksoi se ajo që e ka prekur më së shumti ka qenë vlerësimi i publikut për personin që është dhe për rrugëtimin që ka bërë brenda shtëpisë. Për të, dalja “faqebardhë” nga kjo eksperiencë ka qenë një objektiv i rëndësishëm, të cilin mendon se e ka arritur.
“Më ka bërë përshtypje vlerësimi për personin që jam, fakti që kam arritur të bëj këtë gjë. Për krejt këtë që kam bërë, me dalë faqebardhë nga këtu. Ia kam arritur qëllimit, nuk e kam pritur aq shumë”, deklaroi ai.
Në fund, fituesi u shpreh se ky triumf përfaqëson realizimin e një ëndrre të kahershme.
“Kjo fitore për mua do të thotë përjetimi i një ëndrre, ëndërr me qenë në Big dhe me fitu. E kam ndjerë”, shtoi ai.
Londrimi arriti të fitojë çmimin e madh prej 124 mijë eurosh, duke u shpallur fitues i këtij edicioni dhe duke përmbyllur me sukses një rrugëtim që, sipas tij, ishte i mbushur me sfida, emocione dhe shumë përkushtim.
Lini një Përgjigje