
Pas largimit të saj të papritur nga “Big Brother VIP Kosova”, këngëtarja Fjolla Morina ka reaguar për herë të parë publikisht në rrjetet sociale. Ky është postimi i saj i parë që nga dita e hënë, kur ajo vendosi të largohej vullnetarisht nga shtëpia më e famshme e Kosovës, duke ndërprerë një rrugëtim që zgjati vetëm pak javë.
Përmes një postimi në Instagram, Fjolla ka falënderuar ndjekësit që e mbështetën gjatë qëndrimit të saj në reality show. “Ju dua ata që më mbështetën… Faleminderit”, shkroi ajo. Megjithatë, vëmendjen kryesore nuk e mori aq shumë mesazhi, sesa fotografia që e shoqëronte postimin.
Në imazh, Fjolla shfaqet në një tualet meshkujsh, e pozicionuar në mënyrë ironike si një mashkull në moment urinimi, një zgjedhje që u interpretua nga ndjekësit si një formë provokimi dhe ironie ndaj situatave të fundit dhe gjithë zhurmës mediatike që pasoi largimin e saj nga shtëpia.
Postimi u komentua gjerësisht në rrjet, ku një pjesë e publikut e pa fotografinë si një mesazh simbolik rebelimi dhe sfide, ndërsa të tjerë e konsideruan thjesht një mënyrë për të tërhequr vëmendje pas daljes nga formati.
Fjolla Morina hyri në “Big Brother VIP Kosova” si një nga konkurrentet më të përfolura të sezonit, duke krijuar pritshmëri të larta për prezencën e saj. Megjithatë, të hënën ajo njoftoi banorët dhe produksionin për vendimin e saj për t’u larguar, duke e cilësuar atë si një zgjedhje personale, pa dhënë shpjegime të detajuara.
Gjatë qëndrimit të saj, u vunë re momente tensioni dhe vështirësi në përshtatjen me dinamikat e shtëpisë, çka ka nxitur diskutime të shumta mbi arsyet reale të largimit të saj.
Tashmë, Fjolla duket se ka zgjedhur të flasë përmes ironisë dhe imazheve, ndërsa ndjekësit mbeten në pritje të reagimeve të tjera dhe zhvillimeve të reja në lidhje me jetën dhe karrierën e saj jashtë reality show-t.

Lini një Përgjigje