Këngëtari amerikan D4vd është deklaruar i pafajshëm përballë akuzave të rënda për vrasjen e një vajze 14-vjeçare, një çështje që ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara.
Artisti, me emrin e vërtetë David Anthony Burke, është paraqitur për herë të parë në gjykatën e Los Anxhelosit, ku avokatët e tij kanë deklaruar zyrtarisht pafajësinë në emër të tij.
Viktima, Celeste Rivas Hernandez, rezulton e zhdukur në prill të vitit 2025, pasi kishte vizituar shtëpinë e këngëtarit në zonën e Hollywood Hills. Sipas prokurorisë, ajo nuk është parë më e gjallë pas asaj nate.
Më vonë, në shtator të po atij viti, mbetjet e saj të dekompozuara janë gjetur në bagazhin e përparmë të një automjeti Tesla, i regjistruar në adresën e Burke në Teksas.
Prokuroria e Qarkut të Los Anxhelosit ka ngritur ndaj tij tre akuza të rënda: vrasje në rrethana cilësuese, vrasje për përfitim financiar dhe eliminim të një dëshmitari.
Sipas hetuesve, viktima dyshohet se kishte informacione të lidhura me një hetim për sjellje të papërshtatshme seksuale ndaj artistit, gjë që mund të ketë ndikuar në motivin e krimit.
Dosja gjyqësore përmban gjithashtu detaje të rënda, përfshirë edhe pretendime për copëtimin e trupit të vajzës.
Familja e 14-vjeçares ka deklaruar se do të ndjekë drejtësinë deri në fund dhe kërkon që kujtimi i saj të mos harrohet.
Nëse shpallet fajtor, këngëtari përballet me një dënim maksimal, përfshirë edhe dënimin me vdekje.
Lini një Përgjigje