
Në Argjentinë, dy motrat e Maradonës, Rita Mabel dhe Klaudia Norma, akuzohen për mashtrim tregtar. Pas gjykimit, pasuritë e tyre janë vendosur nën sekuestro për menaxhimin e dyshuar të markës “Diego Maradona”. Vendimi u mor nga gjykatësit Injacio Rodríguez Varela, Hernan Lopez dhe Hulio Maselo Luçiani, pas padive të vajzave të Maradonës, Dalma e Xhanina.
Për secilën motër është vendosur sekuestro prej rreth dy miliardë pesos (më shumë se 1.15 milionë euro), po ashtu për avokatin e Maradonës, Matias Morla, dhe ndihmësin e tij Maximiliano Pomargo. Të gjithë akuzohen për dëmtimin e trashëgimtarëve ligjorë përmes operacioneve të lidhura me kompaninë “Sattvica S.A.”, e kontrolluar nga Morla dhe motrat e Maradonës.
Akuza lidhet me të drejtat tregtare, imazhin dhe pronësinë intelektuale të markës, që përfshin veshje sportive, parfume e materiale audiovizuale. Gjykata theksoi se as Morla, as motrat nuk ishin trashëgimtare zyrtare.
Lini një Përgjigje