Sport 7 Maj 2023, 20:44

Arsenali nuk i ndahet Sitit dhe mban gjallë ëndrrën e titullit, rihapet edhe gara për Champions League

Shkruar nga Pamfleti

Arsenali nuk i ndahet Sitit dhe mban gjallë ëndrrën e titullit,

Arsenali vazhdon të mbajë gjallë ëndrrën e titullit kampion dhe deri në fund do të mundohet t’ia rrëmbejë atë Mançester Sitit që e parakaloi vetëm dy javë më parë. Skuadra e Artetës ka dhënë një sinjal se nuk është dorëzuar, duke fituar në transfertë me shifrat 2-0 ndaj një ekipi që ka bërë shumë mirë në këtë edicion, Njukasëllit. 

Ky i fundit, i rindërtuar thuajse plotësisht që kur kaloi në pronësi të sheikëve nga Arabia Saudite, po lufton për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve dhe për një periudhë të sezonit ishte edhe një rival me dy skuadrat e kreut. 

Por ekipi i Arsenalit tregoi se nuk ishe rastësi që mbetej ende në garë për kreun. Odegard shënoi golin e avantazhit në pjesën e parë dhe në të dytën, një kundërsulm i shpejtë solli autogolin e Shar, duke vulosur fatin e ndeshjes. 
 
Tani Arsenali është vetëm 1 pikë larg Mançester Sitit kryesues, duke vënë në trysni Pep Guardiolën, i cili përtej avantazhit që ka në pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur, do të jetë i detyruar të bëjë rotacion në javët e ardhshme duke menduar edhe për ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe finalen e Kupës FA. 

njukasëll arsenal premier liga