
Ndeshjet e javës së 33 në Superligën e Kosovës kanë sjellë barazi në kryesim, duke bërë që gara të hapet plotësisht sa i përket fituesit të kampionatit.
Kjo, pasi Ballkani ka mundur me shifrat 2-1 në transfertë Dritën, duke barazuar këtë të fundit në kuotën e 66 pikëve në vendin e parë. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja kaloi e para në avantazh me anë të Korenicës, por u barazua në fundin e pjesës së parë nga Jashari. Goli i Dellovës pak minuta para fundit të sfidës, solli suksesin për kampionët në fuqi.
Tashmë të dyja ekipet janë me pikë të barabarta por Drita renditet e para pasi në ndeshje direkte ka 1 gol më shumë. Nga një fitore dhe 2 barazime ndajnë ekipet por suksesi 2-0 i ndeshjes së parë i jep të drejtën ekipit gjilanas për vendin e parë.
Me kampionatin që ka edhe tre javë deri në fundin e tij, të dy skuadrat tashmë nuk kanë luksin të gabojnë dhe vetëm rezultatet e ardhshme do të ndajnë se cila prej tyre e meriton të çojë lart trofeun.
Lini një Përgjigje