
Ish-trajneri i Kombëtares, Edi Reja, foli në “Klan News”, me gazetarin Besard Jacaj, për ekipin aktual të Shqipërisë.
Ai zbuloi disa prapaskena interesante, për disa lojtarë që tashmë janë pjesë kyçe e ekipit.
Reja theksoi se Kristjan Asllani po firmoste me Italinë, por e bindi të vishej kuqezi. Po ashtu edhe për Mario Mitajn, u shpreh se kishte zgjedhur Greqinë, por e mori te Shqipëria.
“Broja me mua ka luajtur. Kisha lojtarë të tjerë, që mund t’u jepja mundësinë. Rëndësi ka që lojtarët të luajnë me zemër dhe të luajnë për fanelën e Shqipërisë.
Strakoshën e bëra që të luajë dhe ishte e ardhmja. Me mua njëherë luante Berisha, njëherë Strakosha. Mosha ikën. Duhen parë edhe të rinjtë.
Janë të gjithë lojtarët shumë të mirë. Jemi të lidhur me një raport të mirë. Asllanin po ashtu e mora unë. Ishte duke firmosur me Italinë. Fola me menaxherin dhe e bëra të kthehej në Shqipëri. Punova një vit që të vinte. Mitaj po ashtu. Donte të shkonte të luante për Greqinë. Unë fola me babain e tij. Ai donte ta çonte te Greqia. Një meritë i shkon edhe grupit tim, që i bindëm. Tani janë të gjithë të pjekur dhe po luajnë mirë në skuadrën e tyre”, tha ai.
Reja nuk kishte këshilla për trajnerin aktual Silvinjo, të cilin e uroi për të ardhmen. Në fund u ndal edhe tek ushqimi shqiptar.
“Silvinjo është shumë i Zoti, i bëj vetëm urime për të ardhmen. Ka treguar se ka aftësi dhe cilësi, për krijimin e një grupi. Këta djem i uroj të gjithë dhe janë shumë të mirë.
Trajnerët italianë janë më të përgatitur. Jo vetëm në Shqipëri, janë kudo. Trajnerët italianë janë shumë të përgatitur. Ne kemi kulturën e punës. Kjo është bazike.
Më Shqipëri më ka pëlqyer peshku. Në Durrës më pëlqente pica. Ushqimet shqiptare janë të mrekullueshme. Tifozët t’i qendrojnë pranë skuadrës dhe të bëjnë më pak kritika. Sidomos gazetarët që janë shumë kritikues”, deklaroi Reja.
Lini një Përgjigje