Mes spekulimeve të shumta për të ardhmen e Majkëll Olize, mediat gjermane raportojnë se Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit kanë arritur një mirëkuptim joformal për mënyrën e veprimit në tregun e transferimeve.
Sipas “Sport Bild”, klubi madrilen nuk po e shqyrton aktualisht mundësinë e transferimit të sulmuesit francez të Bajernit të Mynihut. Raporti thekson gjithashtu se marrëdhëniet mes dy klubeve mbeten të shkëlqyera dhe pa tensione.
Mësohet se në fillim të muajit qershor, presidenti i Bajernit, Herbert Hainer, dhe homologu i tij te Reali i Madridit, Florentino Perez, kanë rënë dakord për një “pakt joformal mos-sulmi”. Sipas këtij mirëkuptimi, asnjëri prej klubeve nuk do të tentojë të transferojë lojtarë nga pala tjetër pa pasur më parë komunikim dhe koordinim mes drejtuesve.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është ruajtja e marrëdhënieve të mira mes klubeve dhe shmangia e rritjes artificiale të vlerave në tregun e transferimeve.
Ndërkohë, raportime nga “Sky” dhe emisioni “Transfer Update – The Show” bëjnë të ditur se Bajerni i Mynihut nuk ka asnjë shqetësim për të ardhmen e Majkëll Olize. Sipas burimeve pranë klubit bavarez, nuk ka pasur negociata apo kontakte nga Real Madrid për futbollistin francez.
“Bajerni është 100 për qind i sigurt se Olize do të qendrojë këtë verë”, citohet të ketë thënë një burim nga klubi.
Edhe Reali i Madridit ka reaguar zyrtarisht, duke mohuar çdo kontakt me lojtarin ose përfaqësuesit e tij. Klubi spanjoll ka theksuar respektin dhe raportet e mira me Bajernin e Mynihut, ndërsa ka shprehur keqardhje për spekulimet e publikuara në media.
Sipas të njëjtave raportime, Bajerni i Mynihut po shqyrton mundësinë e zgjatjes së kontratës së Olize deri në vitin 2031. Nëse arrihet marrëveshja, francezi pritet të bëhet një nga futbollistët më të paguar të skuadrës, në të njëjtin nivel me emra si Herri Kejn dhe Jamal Musiala.
Aktualisht, kontrata e 24-vjeçarit me klubin bavarez është e vlefshme deri në vitin 2029. Olize iu bashkua Bajernit të Mynihut nga Kristal Palas në verën e vitit 2024, pas aktivizimit të klauzolës së lirimit prej 53 milionë eurosh.
Që nga transferimi në Mynih, ai ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës, duke regjistruar 42 gola dhe 54 asistime në 107 ndeshje zyrtare.
Lini një Përgjigje