Rute Kardoso, vejusha e futbollistit portugez Diogo Zhota, ka ndarë një video prekëse nga dita e martesës së tyre për të përkujtuar përvjetorin e kurorëzimit të dashurisë së tyre.
Çifti ishin së bashku që prej adoleshencës, pasi ishin njohur që në moshën 15-vjeçare. Ata u martuan më 22 qershor 2025 në një ceremoni në Porto dhe ishin prindër të tre fëmijëve.
Megjithatë, lumturia e tyre u ndërpre tragjikisht më pak se dy javë pas dasmës, kur Diogo Zhota dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën në një aksident automobilistik më 3 korrik.
Të hënën në mbrëmje, Kardoso publikoi në Instagram një video rreth 20 sekonda të gjatë, ku shfaqeshin momente nga dita e martesës, festimet me familjarët dhe miqtë, si dhe një pjesë nga fjalimi që Zhota mbajti gjatë ceremonisë.
Në mesazhin e tij drejtuar bashkëshortes, futbollisti shprehej:
“Kudo që na çon e ardhmja, ndoshta është dikush këtu që e di më mirë se unë. Por e vërteta është se unë nuk e di dhe nuk ka shumë rëndësi për mua, për sa kohë jam me ty. Të dua përgjithmonë.”
View this post on Instagram
Kujtimi i sulmuesit portugez vazhdon të mbetet i gjallë edhe teksa afrohet një vit nga ndarja e tij tragjike nga jeta.
Në Kupën e Botës, trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, e ka përfshirë Zhotën si anëtar nderi të skuadrës, ndërsa futbollistët portugezë mbajnë byzylykë për të nderuar ish-lojtarin e Liverpulit.
Federata Portugeze e Futbollit ftoi gjithashtu prindërit e Zhotës, Izabel dhe Hoakim Silva, për të ndjekur nga afër ndeshjen hapëse të Portugalisë kundër Republikës Demokratike të Kongos në Houston.
Gjatë interpretimit të himnit kombëtar, në ekranet e stadiumit u shfaq një imazh i Diogo Zhotës, një moment që preku thellë prindërit e tij dhe tifozët e pranishëm.
Lini një Përgjigje