TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Korrik 2026, 15:36

Botërori 2026, edicioni me më pak faulle në 60 vjet, kartonët e kuq kalojnë Kupën e Botës në Rusi dhe Katar

Shkruar nga Pamfleti
Botërori 2026, edicioni me më pak faulle në 60 vjet,
Kartonët e kuq në Botëror

Faza e parë e Kupës së Botës 2026, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, është mbyllur me një statistikë historike. Për herë të parë në 60 vitet e fundit është regjistruar numri më i ulët i faulleve në këtë fazë të turneut.

Në 66 ndeshjet e luajtura janë sinjalizuar gjithsej 1.484 faulle, ose mesatarisht 22,5 për ndeshje. Kjo është shifra më e ulët që nga Botërori i vitit 1966 në Angli. Për krahasim, në “Rusi 2018” u regjistruan mesatarisht 26,9 faulle për ndeshje, ndërsa në “Katar 2022” kjo mesatare ishte 24,1.

Sipas analizave, kjo rënie nuk lidhet domosdoshmërisht me një lojë më të pastër nga futbollistët, por me kriterin arbitrar, i cili ka favorizuar vazhdimësinë e lojës dhe shmangien e ndërprerjeve të panevojshme. Në shumë raste, arbitrat kanë lejuar vazhdimin e aksionit edhe pas kontakteve që në kampionatet kombëtare do të konsideroheshin faull. Ky interpretim ka sjellë edhe reagime, si ato pas sfidës mes Spanjës dhe Uruguajit.

Më pak kartonë të verdhë, por më shumë përjashtime

Edhe statistikat e disiplinës paraqesin një kontrast interesant. Mesatarja e kartonëve të verdhë është vetëm 2,5 për ndeshje, niveli më i ulët që nga Botërori "Spanjë 1982".

Paraguaji rezulton skuadra më e ndëshkuar në fazën e grupeve me shtatë kartonë të verdhë, ndërsa Franca është ekipi me bilancin më të mirë disiplinor, me vetëm një karton të verdhë.

Megjithatë, ndërsa kartonët e verdhë kanë rënë në numër, është rritur numri i kartonëve të kuq. Turneu nisi me tre përjashtime direkte në ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, ndërsa në fund të fazës së grupeve numri i kartonëve të kuq kishte arritur në tetë, po aq sa u regjistruan gjatë gjithë Botërorit të “Rusi 2018” dhe “Katar 2022”.

Rekordi historik mbetet ai i Botërorit “Gjermani 2006”, ku u dhanë gjithsej 28 kartonë të kuq.

Në këtë edicion është zbatuar edhe i ashtuquajturi "Ligji Vinicius". Paraguajani Miguel Almiron u bë futbollisti i parë i ndëshkuar sipas këtij rregulli në ndeshjen ndaj Turqisë. Më pas u ndëshkuan edhe Piero Hincapi dhe Folarin Balogun, me këtë të fundit që do të mungojë në sfidën ndaj Belgjikës për shkak të pezullimit.

VAR me rol më të kufizuar

Ndryshe nga edicionet e mëparshme, sistemi VAR ka pasur një ndikim më të vogël, duke u përdorur kryesisht në rastet e diskutueshme brenda zonës. Kjo është favorizuar edhe nga teknologjia e pozicionit jashtë loje gjysmë-automatik dhe çipi i vendosur në top, si në rastin e golit të anuluar të Josko Gvardiol në ndeshjen mes Kroacisë dhe Portugalisë.

Po ashtu, ka rënë edhe numri i penalltive të akorduara. Në fazën e grupeve u dhanë vetëm 10 penallti, megjithëse ky numër ka nisur të rritet në ndeshjet e fazës me eliminim direkt.

kartonët e kuq faullet kupa e botës

Lini një Përgjigje