Sport30 Qershor 2023, 16:24

“Derbi” shqiptaresh në Ligën e Kampioneve për femra, Vllaznia sfidon kampionet e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

“Derbi” shqiptaresh në Ligën e Kampioneve për femra,

Është hedhur ditën e sotme në selinë qendrore të UEFA-s, në Nion të Zvicrës shorti i raundit të parë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për vajza, ku merr pjesë edhe Vllaznia, ekipi kampion i Shqipërisë për këtë edicion futbollistik. Shkodranet njohën grupin dhe emrat e kundërshtareve me të cilat do të përballen në këtë tur të parë, ku synojnë sërish kualifikimin historik në fazën e grupeve të ‘UEFA Women’s Champions League’.

Vllaznia do të jetë pjesë e grupit 7 që është me katër skuadra. Ndeshjet e kësaj faze do të luhen në formën e një mini-turneu dhe shkodranet do të përballen në gjysmëfinale me ekipin kampion të Kosovës, Hajvalinë. Sakaq, ndeshja tjetër e grupit ka rezervuar përballjen mes kampioneve të Islandës dhe Turqisë, Valur – Ankara Bujuksehir Beledijesi Fomget SK. UEFA ka vendosur që të tria ndeshjet të zhvillohet në Shqipëri. Kështu, Vllaznia ka një mundësi të artë për të kaluar në raundin e dytë, duke qenë se gjysmënfinalen dhe finalen e mundshme i luan në shtëpi.

Dy fitueset e dala nga këto dy takime gjysmëfinale do të përballen më tej në finale me njëra-tjetrën dhe vetëm një prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë.

Ekipi shkodran ishte pjesë e vazos së skuadrave favorite, duke u renditur në vendin e shtatë, me koeficentin 16.800 dhe duke lënë pas skuadra me emër në Europë, si kampionet hungareze të Ferencvarosh, belget e Anderleht, ukraineset e Vorskla dhe kështu me radhë.

Në raundin e parë të këtij kompeticioni marrin pjesë 41 skuadra, të ndara në 11 grupe, ku 8 prej tyre janë me nga katër skuadra, ndërsa 3 prej tyre me tre ekipe. Gjysmëfinalet e grupeve janë programuar të luhen më 6 shtator, ndërsa finalet, nga ku do të dalin edhe fitueset që kualifikohen për në raundin e dytë do të luhen më 9 shtator.

Vajzat kuqeblu synojnë edhe njëherë kualifikimin historik në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ashtu sikurse edicionin e kaluar, kur shkruan edhe historinë e futbollit shqiptar.

vllaznia e femrave champions league uefa