
Mesfushori uellsian Aron Ramsej ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli i luajtur. Vendimi u bë publik përmes një komunikate për shtyp, ku ai thekson se bëhet fjalë për një hap të menduar gjatë.
“Nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë, por pas shumë reflektimesh vendosa të tërhiqem nga futbolli”, thuhet në deklaratën e tij.
Ramsej ishte pa skuadër që prej ndërprerjes së bashkëpunimit me klubin meksikan Pumas UNAM.
Gjatë karrierës së tij, 35-vjeçari ka veshur fanelat e disa klubeve të njohura si Kardif Siti, Arsenal, Notingham Forest, Juventus, Rejnxhërs dhe Nis, ku ka luajtur 551 ndeshje në total, ka realizaur 80 gola të dhe ka dhënë 75 asiste.
Në nivel kombëtar, ai përfaqësoi Uellsin në kompeticione madhore, përfshirë Botërorin 2022, Kampionatet Evropiane 2016 dhe 2021
Trofetë e fituar
Palmarësi i Ramsej përfshin 9 trofe:
me Arsenalin: 3 FA Cup, 2 Community Shield
me Juventusin: 1 titull në Serinë A, 1 Kupë Italie, 1 Superkupë Italie
Me Rejnxhërs: 1 Kupë Skocie
Përveç kontributit sportiv, Ramsey është përmendur shpesh në media për një koincidencë të pazakontë: sa herë që ai shënonte, pasonin lajme për vdekjen e figurave të njohura botërore.
Ky fenomen nisi në vitin 2011, kur një gol i tij ndaj Mançester Junajtid u pasua nga lajmi për vrasjen e Osama Bin Laden një ditë më vonë. Më pas, në raste të tjera, golat e tij janë lidhur në mënyrë jo shkencore me ndarjen nga jeta të personaliteteve si Steve Jobs, Muamar Gadafi, Whitney Houston dhe David Bowie.
E ardhmja: drejt trajningut?
Pas mbylljes së karrierës si lojtar, e ardhmja e Ramsej mund të lidhet me rolin e trajnerit. Ai ka pasur tashmë një eksperiencë të parë si trajner-lojtar te Kardif Siti gjatë sezonit të kaluar, në mënyrë të përkohshme.
Lini një Përgjigje