
Pas barazimit me rrjeta të paprekura kundër Egnatias një javë më parë, Dinamo është rikthyer te fitorja. Blutë kanë mposhtur me rezultatin e pastër 0-2 Vorën.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja kaloi në epërsi në minutat e fundit të pjesës së parë. Pas një goditje këndi, topi shkoi te Vila i cili gjeti përgjigjen e Harizajt e pastaj ishte me fat, teksa pa topin që të përplasej në këmbët e tij e të shkonte në rrjetë.
Me fitoren minimale të kryeqytetasve u mbyll edhe pjesa e parë e ndeshjes. Në minutën e 75, Guindo hyri në zonë nga e djathta, Repaj e shtyu dhe e rrëzoi në zonë. Gjyqtari tregoi pikën e bardhë të penalltisë dhe i dha kartonin e verdhë Repajt.
2 minuta më pas, Bregu gjeti golin që i dha fitoren ekipit të Ilir Dajës.
Me këtë fitore, Dinamo ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 14 pikë, ndërsa Vora mban vendin e 6 me 10 pikë.
Javën e ardhshme, Dinamo do të luajë derbin e kryeqytetit përballë Partizanit, ndërsa Vora do të udhëtojë në transfertën e Ballshit, ku do të ndeshet me Bylisin.
Lini një Përgjigje