
Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev, nuk ka arritur të kurorëzohet kampion Europe në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë, duke u mposhtur në finale nga rusi Bashir Magomedov. Në përballjen për peshën deri në 65 kilogramë në stilin e lirë, Dudaev u dominua nga kundërshtari, i cili fitoi me rezultatin e thellë 10-0.
Finalja nuk la shumë hapësira për reagim nga sportisti kuqezi, pasi Magomedov kontrolloi ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke e mbyllur sfidën pa i dhënë mundësi Dudaev të rikuperonte.
Megjithatë, performanca e mundësit shqiptar gjatë gjithë kampionatit konsiderohet pozitive, pasi ai arriti të sigurojë medaljen e argjendtë, një nga rezultatet më të rëndësishme për Shqipërinë në këtë disiplinë. Për këtë arritje, Dudaev do të përfitojë edhe një shpërblim prej 4 milionë lekësh të rinj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Rruga drejt finales për Dudaev ishte bindëse. Ai e nisi garën duke mposhtur turkun Ahmet Duman me rezultatin 6-1 në fazën kualifikuese. Në çerekfinale kaloi gjeorgjianin Nika Zakashvili me rezultatin 3-1, ndërsa në gjysmëfinale arriti një fitore të pastër 4-0 ndaj Islam Guseinov, i cili garon nën flamurin e Federatës Botërore të Mundjes.
Edhe kampioni i Europës, Bashir Magomedov, garoi nën të njëjtin flamur, për shkak të përjashtimit të Rusisë nga aktivitetet ndërkombëtare sportive pas zhvillimeve gjeopolitike.
Ndërkohë, një tjetër sukses për Shqipërinë vjen nga Zelimkhan Abakarov, i cili ka siguruar një vend në finale në peshën deri në 61 kilogramë. Ai do të përballet për medaljen e artë me Zavur Uguev, në sfidën që do të zhvillohet të dielën, në ditën e fundit të kampionatit.
Lini një Përgjigje