
Armando Broja u rikthye në fushën e blertë pas 287 ditësh, pas një dëmtimi që e mbajti kaq shumë larg futbollit. Por rikthimi i tij nuk e ndihmoi Çelsin që të shmangte humbjen përballë Aston Vilës me rezultatin 1-0.
Pas kësaj sfide, foli dhe trajneri i “Bluve të Londrës”, Mauricio Poçetino, i cili mendon se Broja do kohën e tij.
“Ishte mirë të shikoja sërish Brojën pas 9 apo 10 muajsh. Gjithashtu është diçka e mirë sepse na jep mundësinë të kemi opsione të ndryshme dhe këto mundësi janë të mira për ekipin. Por ai duhet të rindërtojë besimin e tij.
Ka të bëjë me të mësuarit, ky është i gjithë procesi. Ne jemi një ekip i ri në një proces që ata duhet ta mësojnë të gjithë së bashku. Është e vështirë të flasësh për gjërat pozitive kur humbet, por duhet të flasim për gjëra pozitive, duhet të mbajmë gjërat pozitive.
Padyshim që me kohën mendoj se skuadra do të performojë më mirë, por sigurisht që tani nuk mund ta fshehim situatën alarmante. Është një situatë që lëndon të gjithë tifozët, klubin, ne dhe lojtarët”, u shpreh trajneri argjentinas.
Lini një Përgjigje