
Flamurtari është mposhtur në transfertë nga Bylis me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të Abissnet Superiore. Takimi është shoqëruar me polemika të forta pas një penalltie vendimtare në minutat e fundit.
Humbja e skuadrës vlonjate erdhi pas një 11-metërshi të shkaktuar nga kapiteni Lorenc Trashi, i cili ndërhyri brenda zonës ndaj një lojtari kundërshtar. Nga pika e bardhë, Bylis shënoi golin e dytë dhe të fitores.
Pas përfundimit të ndeshjes, në rrjetet sociale dhe në faqen zyrtare të klubit, tifozë të Flamurtarit kanë reaguar ashpër, duke akuzuar kapitenin Trashi se e ka shkaktuar penalltinë në mënyrë të qëllimshme.
Këto reagime janë shoqëruar edhe me protesta pranë stadiumit “Flamurtari” pas kthimit të ekipit në Vlorë.
Sipas televizionit lokal “6+1 Vlora TV”, presidenti i klubit Sinan Idrizi ka vendosur përjashtimin e përhershëm të Lorenc Trashit nga ekipi.
Sipas të njëjtit burim, vendimi është marrë pas presionit dhe protestës së tifozëve, të cilët e akuzojnë lojtarin për “shitje të ndeshjes”.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim apo konfirmim zyrtar nga klubi i Flamurtarit lidhur me këtë vendim apo akuzat ndaj kapitenit. Për pasojë, informacioni mbi përjashtimin mbetet i pakonfirmuar.
Lini një Përgjigje